Mësuesi nuk lejon nxënësen të hyjë në mësim me flamur dhe plis

Një ngjarje e paprecedentë ka ndodhur ditën e sotme në Prishtinë, ku një 11-vjeçare nuk është lejuar të hyjë në klasë me simbolet kombëtare shqiptare.

Sipas mediave në Kosovë, ngjarja ka ndodhur në shkollën “Xhemajl Mustafa”, gjatë ditës së sotme. Raportohet se e mitura është detyruar të dalë nga klasa nga mësuesi i anglishtes, Muhamed Hajredinaj, për shkak të veshjes së saj me rroba me motive kombëtare për festën e 28 nëntorit, që nga mësuesi janë konsideruar si të papërshtatshme.

I shqetësuar nga sjellja e mësuesit, Agim Kita, babai i 11-vjeçares, tha se sapo vajza e lajmëroi për ngjarjen, ai ka bërë ankesë në shkollë kundër mësuesit Hajredinaj.

“Ka ndodhë me vajzën time, e cila ka qenë e veshur me një bluzë me flamurin kombëtar dhe ka pasur një plis të vendosur në kokë për shkak se sot e kanë edhe festën dhe kanë pas program. Më ka telefonuar vajza në momentin që e kam lanë të shkolla dhe më ka tregu që babi arsimtari i gjuhës angleze më ka largu nga klasa, nga ora, për arsye që ka pasur të vendosur plisin dhe bluzën me flamurin kombëtar”, ka deklaruar babai i 11-vjeçares.

Për këtë rast janë në dijeni edhe drejtuesit e shkollës, teksa zëvendësdrejtori Berisha thotë se ankesa ndaj mësuesit Muhamed Hajredinaj janë pranuar edhe më parë për probleme të natyrës së ngjashme.

“Në realitet në të kaluarën, profesori në fjalë ka pas ankesa nga nxënësit, prindërit për qasjet e tyre dhe aspektin e tij fetar, do të thotë në pjesë të orë të caktuara ka fol për fe, e jo për lëndën që e ligjëron. Nxënësit tregojnë që pas largimit nga klasa, ai në shenjë revolte e ka hedhur plisin dhe flamurin në shportën e mbeturinave”, ka deklaruar zëvendësdrejtori.

Ai tha se ankesat kundër mësuesit shkolla i ka adresuar në Ministrinë e Arsimit, të cilët ende nuk kanë nxjerrë vendim përfundimtar.

11-vjeçarja u rikthye sërish në klasë gjatë ditës së mërkurë për të vijuar mësimin. Kjo megjithatë ndodhi vetëm pas insistimit të zëvendësdrejtorit, i cili u informua nga prindi i saj për ngjarjen.

Latest articles

Related articles