Godinat shtetërore do të kthehen në kulla shumëkatëshe, ku prona shtetërore do t’i jepet firmave private vetëm me një përqindje ndërtimi. Nisma e qeverisë ka marrë jetë nga Korporata e Investimeve Shqiptare, e cila u krijua enkas për të tjetërsuar godinat dhe truallet shtetërore. Pasi u dhanë me koncesion disa shërbime dhe punë publike, tashmë radha i ka ardhur edhe këtyre pasurive, ku në dhjetëra godina do të bëhen qendra tregtare, hotele, bare, restorante etj. Një nismë e rrezikshme dhe e pa konsultuar me grupet e interesit, ku qeveria aktuale po sillet si “pronare e gjithçkaje”, madje edhe e ajrit. Por, në kohën e protestave apo të dosjeve të SPAK-ut, qeveria ka vepruar “në hije”, duke hapur në Agjencinë e Prokurimit Publik tenderët për ndërtimin e këtyre grataçelave. Madje, vendimin e një kulle, në truallin dhe godinën ku ndodhet Kadastra Shqiptare, e ka miratuar edhe Agjencia e Zhvillimit të Territorit.Korporata ka hapur procedurën me objekt “zhvillimi nëpërmjet sipërmarrjes i LIFT Tower”. Vendimi ka ardhur paralelisht me vendimin e AZHT-së, e cila miratoi në pikën 5 të vendimeve të fundit edhe lejen e zhvillimit për objektin “Godina e Kadastrës Shtetërore dhe Lift Tower”, loti 2, me vendndodhje në Bashkinë Tiranë, me subjekt zhvillues Korporatën e Investimeve Shqiptare.

Korporata është me kapital 100% shtetëror, e cila ka si aksioner të vetëm Ministrinë përgjegjëse për ekonominë të Republikës së Shqipërisë. “Projekti i investimit synon të transformojë hapësirat dhe godinat e vjetra shtetërore që shfaqin aktualisht shenja amortizimi, degradimi dhe infrastrukturë të vjetëruar, jo bashkëkohore dhe ku kushtet ekzistuese tregojnë nevojën për të përmirësuar cilësinë e pronave. Interesi publik që përndjek projekti i investimit konsiston në përmirësimin e kushteve të punës së funksionarëve publikë si dhe në energjizimin e qytetit duke sjellë zhvillimin e zonave urbane ku ndodhen pronat” thuhet në këtë dokument.
Sipas saj, projekti realizohet nëpërmjet një modeli partneriteti, ku Korporata ka rolin e zhvilluesit dhe ndërmjetësuesit midis institucionit publik që ka interes të zhvillojë pronat e tij dhe të përfitojë godina bashkëkohore dhe partnerit privat, që posedon burimet financiare, njerëzore dhe kapacitetet ekzekutive dhe ka interes në realizimin e projektit të investimit. Një lloj koncesioni, ku prona publike i jepet privatit!
Por, Korporata shkruan në vendim se partneri privat siguron përfitueshmëri të investimit të kryer duke shmangur çdo burokraci dhe paqartësi në lidhje me statusin e pronës (pronë shtetërore e çertifikuar), në marrjen e lejeve (Korporata ka aplikuar për marrjen e lejes së zhvillimit nga KKT mbi projekt-idetë arkitekturore të dy objekteve), si dhe në çdo marrëdhënie me autoritetet publike, por ai gjithashtu në bashkëpunim me Korporatën ndihmojnë në realizimin e qëllimit publik të këtij projekti investimi. Pra, të gjitha procedurat ndiqen nga kjo korporatë.
“Korporata nëpërmjet kësaj procedure konkurruese publike ndërkombëtare synon të përzgjedhë partnerin privat, në cilësinë e Sipërmarrësit për zhvillimin e pronës për sipërmarrje, duke realizuar projekt-idenë arkitekturore të bashkimi të subjekteve Baukuh Studio Associato & Muoto & Sam Chermayeff Office & Yellow Office & Bollinger Grohmann & Atmoslab & Simoj Boudvin & Arkimade”, thuhet në vendim. Voxnews



