Akademiku Artan Fuga foli në A2 CNN, ku komentoi protestën e mbajtur këtë të enjte pas ngjarjes tragjike të vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani.
Fuga e cilësoi reagimin publik si të pamjaftueshëm dhe konfuz, duke theksuar se nuk u kuptua qartë se çfarë kërkohej nga protesta. “Ishte një rast shumë i dhimbshëm, një fenomen që prek të gjithë shoqërinë, veçanërisht jetën e fëmijëve dhe adoleshentëve,” u shpreh ai.
Sipas akademikut, platformat mediatike dhe rrjetet sociale shpesh krijojnë një ndjesi të rreme veprimi. “Duke u shprehur në media, njeriu mendon se ka vepruar, por në realitet, reagimi shoqëror duket si i mpirë,” shtoi Fuga, duke kritikuar mungesën e një proteste më të fuqishme. Ai krahasoi këtë situatë me atë që do të ndodhte jashtë vendit, ku një ngjarje e tillë do të kishte shkaktuar reagime të jashtëzakonshme, tha ai.
Fuga theksoi se ky nuk është një problem që prek vetëm shkollën “Fan Noli” apo Ministrinë e Arsimit, por një çështje shumë më e gjerë që reflekton mangësi në disa nivele të shoqërisë dhe institucioneve.