Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta u ka kërkuar simpatizantëve dhe anëtarëve të Partisë së Lirisë të protestojnë para Strukturës së Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Në një letër publike që është lexuar në një deklaratë për media nga sekretari i PL-së, Tedi Blushi, Meta kërkon që përpara SPAK-ut të zhvillohen protesta periodike ku të denoncohen shkeljet e pretenduara prej tij nga prokurorët e SPAK.
“Të nisin protestat paqësore periodike para SPAK për të denoncuar të gjitha manipulimet skandaloze të tyre në dosjen kundër meje dhe për të denoncuar aferat skandaloze të Edi Ramës që SPAK nuk i heton”, thuhet ndër të tjera në mesazhin e Metës.
Kujtojmë se kërkesa e Metës ndaj mbështetësve të tij për të protestuar përpara SPAK-ut, vjen një ditë pasi GJKKO vendosi të mos ndryshojë masat e sigurisë ndaj tij në “arrest me burg” dhe Monika Kryemadhit me “detyrim paraqitje”.
Po ditën e sotme, SPAK vendosi sekuestro preventive ndaj dy shtëpive të Monika Kryemadhit dhe nënës së saj, Fatimes, në Kodrën e Diellit në Tiranë.
Meta dhe Kryemadhi akuzohen nga SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, për lobimin në SHBA, çështjen CEZ-DIA dhe një sërë rastesh të tjera të mosdeklarimit të pasurive.
Nëse protesta do të mbahet, për arrestimin e një ish-zyrtari të lartë të shtetit për vepra korruptive, do të jetë e para e këtij lloji