Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi Robert Gajda përmes një komunikimi publik ka shprehur ngushëllime të sinqerta për familjen Cani që humb fëmijën 14 vjeçar në shkollën Fan Noli, në Tiranë. Komisioneri Gajda thotë se tragjedi familjare kërkon vëmendje të veçantë të institucioneve dhe shoqërisë.
KOMUNIKIMI
Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Cani, pas humbjes së jetës së Martinit, 14 vjeçar, pranë shkollës Fan. S. Noli, në Tiranë. Kjo tragjedi familjare dhe shoqërore kërkon një vëmendje të shtuar nga ana e institucioneve arsimore, policore dhe përkujdesje psikologjike për nxënësit e shkollës.
Komisioneri nxit autoritetet për një hetim të shpejtë dhe gjithëpërfshirës të ngjarjes së rëndë, si dhe një analizë të institucioneve arsimore për situatën e sigurisë në ambiente shkollore, me fokus parandalimin e shfaqjeve të dhunshme.
Por, hetimi duhet të jetë më i thellë dhe duhet të drejtohet rreth faktit që dhuna në Shqipëri shikohet si i vetmi mjet për zgjidhjen e konflikteve. Akoma sot, prevalon modeli i forcës i cili ushqen në përditshmëri dhe kudo, fëmijët dhe të rinjtë.
Kultura e dhunës në shoqëri, modelet e gabuara të amplifikuara në rrjetet sociale gjenerojnë akte që tronditin opinionin publik duke ndërprerë jetë të pafajshme dhe tragjedi familjare.
Investimi tek kultura e dialogut, mirëkuptimit dhe tolerancës brenda shkollës dhe shoqërisë do të jepte një dimension tjetër të vlerësimit të jetës.
Institucionet arsimore përveç edukimit në vazhdimësi të nxënësve kanë detyrim të punojnë me rritjen emocionale të tyre duke përfshirë psikologët dhe prindërit në institucionin arsimor.
Komisioneri fton në reflektim të gjithë prindërit që të bashkëpunojnë me institucionet arsimore dhe autoritetet publike, për një formim human dhe qytetar të fëmijëve.
Dhuna dhe urrejtja asnjëherë dhe në asnjë mënyrë nuk duhet promovuar.