“Rama flet si drejtor azili duke fajësuar të tjerët”, Basha: Paratë e pensioneve i kanë marrë oligarkët

Kryetari i PD-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka reaguar në lidhje me deklaratat e kryeministrit Edi Rama, duke theksuar se po përpiqet që të vendosë sipërmarrësit kundër qytetarëve, për të fshehur dështimin e tij përballë pensionistëve.

Basha thekson se dështimi i qeverisë në menaxhimin e skemës së pensioneve janë të dukshme, duke vënë në dukje se paratë e pensioneve po mbahen peng nga investitorë strategjikë dhe projekte korruptive, ndërsa pensionistët përballen me çmime të larta për ilaçet.

Sipas tij, Edi Rama flet si drejtor azili, duke u’a hedhur fajin të tjerëve, ndërkohë që kishte në dorë gjithë pushtetin për të përmirësuar atë.

Postimi i plotë i Bashës:

Retorika përçarëse e Edi Ramës, me të cilën përpiqet të vendosë sipërmarrësit kundër qytetarëve, nuk fsheh dot dështimet e tij përballë pensionistëve.
Paratë e pensioneve nuk po i mbajnë peng njerëzit që punojnë me sakrifica duke u përballur me taksa të larta, gjobat e tatimeve dhe taksidratët e Edi Ramës. Paratë e pensionistëve po i mbajnë peng investitorët strategjikë që nuk paguajnë taksa, hotelet dhe kazinotë e njerëzve të qeverisë, pagesat e PPP-ve korruptive dhe tenderat sekretë.
Edi Rama flet si drejtor azili, duke u’a hedhur fajin të tjerëve për dështimin e skemës së pensioneve, ndërkohë që kishte në dorë gjithë pushtetin për të përmirësuar atë. Talljet me pensionistët, që nuk kanë para për ilaçet, që janë më të shtrenjtat se në vendet e Bashkimit Europian, duhet të marrë përgjigjen e merituar në zgjedhje.
Pensionistët shqiptarë meritojnë më shumë!

Latest articles

Related articles