Zi e madhe në familjen e teknikut të kombëtares U21 Alban Bushi. Një aksident automobilistik i ka marrë jetën dy prindërve të teknikut. Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Egnatia”, në aksin Veria-Selanik, pranë Kouloura Imathias.
Fugoni me targa PMX-8942 i drejtuar nga 47-vjeçari grek Marios Simitliotis është përplasur me automjetin tip “Mercedes-Benz” me targa shqiptare AB 454 GF që drejtohej nga 75-vjeçari shqiptar Ali Bushi.
Si pasojë e përplasjes kanë humbur jetën 75-vjeçari Ali Bushi dhe pasagjerja 71-vjeçare Bukurije Bushi. I plagosur lehtë ka mbetur edhe shtetasi grek, i cili është arrestuar nga policia.
Për ngjarjen e rëndë që ka ndodhur në familjen e teknikut të kombëtares Bushi, ka reaguar edhe presidenti i FSHF-së Armand Duka. “Në këtë moment të vështirë, mendimet e mia shkojnë tek Albani dhe të gjithë anëtarët e tjerë të familjes, që përveç trishtimit për këtë humbje të madhe, do të përballen edhe me mungesën e pamatë të dashurisë prindërore”, ka shkruar numri 1 i Federatës, duke shprehur ngushëllimet e sinqerta për teknikun e kuqezinjve nën 21 vjeçarë.