Mesazhet e Ramës në New York, dhe të Bolinos në Tiranë!

nga Sidi Hasanaj

Edi Rama në vizitën e tij elektorale në New York, dha disa mesazhe tepër domethënëse të cilat skicojnë dinamikën që ai aspiron të ndjekë në politikë, qëllimet e tij në politikë.

Së pari, ai i tregoi faktorëve opozitarë, si atyre të kahershëm, ashtu edhe të rinj, se përkundër viteve të gjata në pushtet, të cilat kanë përkuar me një dekadë të ngarkuar me korrupsion dhe skandale, ai gëzon mbështetje të konsiderueshme jo vetëm brenda Shqipërisë, por edhe në Diasporë. Pikërisht në Diasporë, ku individët priren të jenë më të çliruar nga presioni i pushtetit socialist, Rama dha një sinjal të fuqishëm:

Në një sallë të mbushur me bashkëkombas, kryesisht nga Veriu i Shqipërisë, një zonë historikisht e njohur për mbështetjen e saj ndaj së djathtës, Rama dërgoi një mesazh të qartë për opozitën:
Partia Socialiste ka arritur të thyejë bastionet e PD-së në veri.
Këtë e përforcoi duke përmendur fitoret në bashkitë e Shkodrës, Tropojës, Kukësit dhe Lezhës; dhe gjatë dialogut me një pjesëmarrës që u prezantua si antikomunist dhe demokrat i devotshëm, por i zhgënjyer nga PD-ja. Në përgjigje, Rama vuri në dukje se, sipas tij, partinë e antikomunistëve e uzurpuan “komunistët më të këqij dhe shërbëtorët më të zellshëm të Partisë së Punës” që në gjenezë të saj.

Kur reflekton mbi faktin se PD-ja është udhëhequr nga figura që mbartin reminishenca të funksionarëve të hershëm komunistë, nga një ish-sekretar rinie i Partisë Komuniste, tek drejtues të kooperativave apo individë të përfolur si ish-spiunë të Sigurimit, të cilët zënë ende pozicione kyçe, kupton se teza e Ramës nuk është aspak larg të vërtetës!
Zhgënjimi i bashkombësave tanë të djathtë, të larguar prej vitesh në SHBA, cënoi legjitimitetin e Partisë Demokratike si parti e krijuar mbi aspiratat e vlerave antikomuniste.

Rama ka parti solide, ka mbështetës të shumtë edhe në Diasporë, dhe ka krijuar një dikotomi të figurës së tij që nënkupton ndarjen në dy pjesë të kundërta : disa e refuzojnë me përbuzje si një politikan të korruptuar, e disa të tjerë e shohin si liderin politik më të aftë dhe karizmatik në Shqipëri.

Pra teza e opozitës se Rama fiton aq shumë mandate falë lidhjeve me krimin, oligarkët, administratën politike dhe patronazhistëve; në New York ku asnjë nga faktorët më sipër kanë influencë, u hodh pjesërisht poshtë dhe Rama dha mesazhin e parë:

Padyshim që ai fiton edhe falë komponentëve më sipër, por gjithsesi ai është një faktor politik shumë i fortë… në mos më i forti edhe pa maniipulimet e garës.

Së dyti, Edi Rama hodhi një tezë të cilën mesa duket do e përdorë fort për të negociuar statusin e tij në të ardhmen:

“ Dëgjojmë shpesh se Reformën në Drejtësi e realizoi Amerika, por SHBA aty ishin edhe me Berishën si kryeministër, edhe me lider të tjerë në krye të shtetit… por nuk e arritën kurrë implementimin e Reformës në Drejtësi. U deshte të vija unë dhe PS në krye të pushtetit, për të bërë të mundur projektin e drejtësisë së re”

Ky argument jo rastësisht u tha nga Rama në mes të SHBA-ve, sepse fokusi ishin veshët e politikës Amerikane.

Ky mesazh i Ramës, u amplifikua edhe më fortë në Tiranë ku gazetari Carlo Bollino në valë lineare me argumentin e Ramës, hodhi tezën se në Shqipëri, në fazën e spastrimit të sistemit politik, ndodhemi në një kontekst të ngjashëm me “duart e pastra” në Itali në 1990.
Në një vend ku korrupsioni sistemik dhe endemik ka qenë një problem i rrënjosur thellë për dekada, duhet bërë një lloj amnistie/ faljeje.

Më pas Bollino deflektoi, bëri devijime të mirë llogaritura nga thelbi i tezës së tij, duke e veshur argumentin me doza populizmi të llojit “nuk mund të arrestojmë mbi gjysmën e klasës politike sepse do sjellë trazira sociale, por duhet të merremi me arkitektët e sistemit të kotruptuar”.

Këtu jam në pjesën subjektive të analizës, por nuk mendoj se Carlo Bollino ngriti një “stuhi në gotën mediatike” me qëliim amnistinë e disa “peshqve të vegjël” politikë. Çfarë valence ka kjo për interesin e publikut?

Kur publiku nuk reagon aspak negativisht për ndëshkimet e Berishës, Metës, rreth 30 deputetëve,kryetarëve bashkishë dhe ish ministrave socialist… vërtet pret dikush se do ketë destabilitet apo trazira sociale, se do dënohen një “ark me peshq”??

Ah, destabiliteti mund të ndodhë nëse goditen dhe emrat më të mëdhenjë në politikë, ku në krye është vetëm një: Edi Rama.

Ky është në fakt mesazhi i dytë i Edi Ramës për faktorin Amerikanë, dhe opinionin publik në Shqipëri.

Rama po negocion statusin e tij, në një sistem politik të korruptuar të cilin ai e gjeti të tillë, si aktori që i dha hapësirë SHBA-ve të bëjnë “mani pulite”, ai kërkon në shkëmbim amnistinë dhe faljen e tij!

Jo vetëm kaq, por edhe duke parë përkrahjen që ai gëzon mes Shqiptarëve, fuqinë e madhe politike dhe ekonomike… pra faktorë që mund të shkaktojnë trazira sociale në Shqipëri, Rama kërkon amnisti për veten e tij.

Ky mesazh, më shumë se sa duhet ta gëzojë Opozitën e cila e sheh si klithmë frike të Ramës, në fakt duhet ta trembë Opozitën.

Rama ka letrat në lojë për të qenë interlokutori mes dëshirës së qytetarëve dhe SHBA-ve nga për shtet të së drejtës nga njëra anë, dhe pushtetit të vjetër korruptiv 34 vjeçar nga ana tjetër. E në shkëmbim të kërkojë amnistinë e tij.

Opozita duhet të ngrë alarmin e kuq. Forcat politike që duan të kryejnë një akt subversiv, një përmbysje të sistemit aktual, duhet ti godasin Ramës letrat e tij të negocimit të amnistisë, duhet të bindin shoqërinë Shqiptare, faktorët ekonomik të saj, shtresat e gjera sociale, por edhe faktorin Amerikanë se përse Amnistia e Ramës nuk duhet të jetë kurrë opsion. Përse sa kohë që Rama është në politikë, korrupsioni, kriminaliteti, oligarkia do jenë pjesë integrale të sistemit politik.

Opozita nuk duhet të flejë mbi dafina, por duhet të luftojë dhëmb për dhëmb me Ramën.
Nëse ai është i frikësuar dhd po lufton për amnistinë e tij si i dëshpëruar… edhe opozita anti sistem (jo Berisha-Meta) duhet të luftojë si e dëshpëruar përballë Ramës!

Latest articles

Related articles