E keni parë se sa zhurmë bëjnë në debate të dy krahët e politikës shqiptare PS dhe PD?
Nuk kanë faj, se këtë e kanë ndërtim të brendshëm psikik.
Pse? Sepse gënjejnë.
I.
Është e provuar tani se gënjeshtra në një debat politiko-shoqëror krijon zhurmë nga ata që gënjejnë. Në psikologjinë moderne është e specifikuar se e vërteta krijon domosdoshmërinë e qetësisë në një bisedë, kurse gënjeshtra krijon zhurmë në thënie nga vetë gënjeshtari: ai ngre zërin, e nuk të lë të flasësh, sepse kështu e shtyn ngarkesa shpirtërore që i krijon gënjeshtra me anë të së cilës kërkon të fitojë diçka.
E vërteta të imponon qetësi, nëse e pranon.
Por, nëse ti nuk e pranon të vërtetën dhe ke krijuar një gënjeshtër kundër saj, kur e paraqet gënjeshtrën, ajo, psikologjikisht, nga gënjeshtari kërkon ton të lartë të zërit dhe imponim edhe me gjeste gjatë bisedës; në një diskutim madje edhe në një lojë.
II
Analitika e psikikës shqiptare para 20 vitesh na tha se politika shqiptare nuk e pranon të vërtetën prandaj e ka gënjeshtrën simbol politik, dhe prandaj grindjet nëpër debate dallohen që janë pa sens.
Po tani?
Këto vitet e fundit politika e lartë shqiptare nuk ka më atë guxim që ka pasur për të gënjyer aq hapur në bërjen e politikës së saj. Kjo erdhi ngaqë opinioni publik filloi që me përbuzje të mos e pranonte gënjeshtrën si propagandë politike, sepse në luftën politike gënjeshtra kishte marrë trajtën e moralit politik.
Por, fakti që opinioni publik media dhe, sidomos televizioni, e goditi më shumë saktë gënjeshtrën politike, ajo tani nuk po dominon. Megjithëse, duhet thënë që ende gënjeshtra prezent është në politikën shqiptare, por nuk po e sundon atë. Dhe kjo është pozitive.
Sigurisht që politika nuk i shmanget dot demagogjisë, por shpesh demagogjia është element i fortë në fjalimet politike, por nuk është gati gënjeshtër, sepse tirret nëpër fjalimet të gjata ku forca logjike iu bën analizën fakteve sipas konceptimit të oratorit.
Megjithatë na duhet ta theksojmë se termi demagogji vjen nga greqishtja e vjetër që do të thotë kundrejt-popullit ( sepse demos në greqishten e vjetër do të thotë popull, dhe gogus do të thotë lider).