Vodafone Albania teston për herë të parë në Shqipëri teknologjine e re, që kombinon AI me robotikën, për fuqizimin automatik të rrjetin celular

spot_img
Advertisements


Brenda çdo sistemi që duket kompleks, në fund ekziston një thjeshtësi e madhe: njeriu. Sot flasim çdo ditë për Inteligjencën Artificiale. E dëgjojmë në konferenca, e lexojmë në media, e shohim në aplikacione. Por për shumicën prej nesh, AI vazhdon të mbetet një koncept që diskutohet më shumë sesa përjetohet. Vodafone Albania po teston një qasje krejt tjetër. Jo duke folur për Inteligjencën Artificiale, por duke e bërë atë pjesë të padukshme të jetës sonë të përditshme.
Imagjinoni një antenë celulare që nuk transmeton vetëm sinjal. Ajo “vëzhgon” vazhdimisht mënyrën si lëvizin njerëzit, ku rritet trafiku i internetit dhe si ndryshojnë kushtet përreth. Më pas vendos vetë të ndryshojë pozicion, duke u rrotulluar ose anuar drejt zonës ku nevoja është më e madhe. Dhe e bën këtë pa pritur që një inxhinier të ngjitet në kullën e antenës.
Ky është një nga shembujt e parë të asaj që industria e telekomunikacionit e quan Physical AI: Inteligjencë Artificiale që nuk kufizohet vetëm në analizimin e të dhënave, por ndërhyn fizikisht në infrastrukturë për të përmirësuar performancën e rrjetit pa patur nevojë për ndërhyjen e njeriut.
Përmes një projekti pilot në Tiranë, Vodafone Albania po sjell për herë të parë këtë teknologji në vend. Zgjidhja kombinon një “tru” të fuqizuar nga Inteligjenca Artificiale me një krah robotik të zhvilluar në partneritet me HUMAX Networks, i aftë të rrotullojë dhe anojë antenat aktive 4G dhe 5G në kohë reale, në mënyrë që rrjeti të përshtatet vazhdimisht me nevojat e përdoruesve.
Ky projekt është pjesë e vizionit të Vodafone Group për ndërtimin e rrjeteve autonome dhe AI-native: rrjete që nuk presin më komandat e njeriut, por perceptojnë, mësojnë dhe përshtaten vetë.
“Duke kombinuar Inteligjencën Artificiale, automatizimin dhe robotikën, rrjeti ynë tashmë mund të ndjekë në mënyrë dinamike lëvizjen e përdoruesve dhe ndryshimet e kërkesës për shërbime, duke ofruar lidhje më cilësore dhe një eksperiencë më të mirë për klientët,” – shprehet Francisco (Paco) Martin Pignatelli, Drejtor i Mobile Access Engineering në Vodafone.
Por çfarë do të thotë kjo në praktikë?
Imagjinoni një të shtunë pasdite. Fillimisht jeni në shtëpi duke parë video, duke ndarë reels me miqtë apo duke bërë një telefonatë. Pak më vonë gjendeni në një koncert me mijëra njerëz. Brenda pak minutash, kërkesa për internet shumëfishohet.
Deri më sot, përshtatja e rrjetit në situata të tilla kërkonte ndërhyrje manuale nga inxhinierët e Vodafone Albania, të cilët rikonfiguronin antenat sipas nevojës. Ishte një proces që mund të zgjaste ditë, madje edhe javë. Me teknologjinë e re, e njëjta përshtatje mund të ndodhë brenda vetëm 20–30 minutash.
Sistemi analizon vazhdimisht trafikun, parashikon se ku do të nevojitet më shumë kapacitet dhe udhëzon në mënyrë autonome krahun robotik të ndryshojë pozicionin e antenës. Gjithçka ndodh ndërkohë që përdoruesit vazhdojnë të përdorin rrjetin normalisht, pa ndërprerje dhe pa e kuptuar se në sfond po zhvillohet një proces kompleks optimizimi.
Madje, sistemi nuk mbështetet vetëm te të dhënat e trafikut. Ai merr në konsideratë edhe faktorë si kushtet atmosferike. Nëse moti ndryshon ose parashikohet një rritje e fluksit në një zonë të caktuar, rrjeti mund të përshtatet paraprakisht, përpara se të krijohet mbingarkesa.
Për përdoruesit, e gjithë kjo përkthehet në diçka shumë të thjeshtë: internet më të qëndrueshëm, mbulim më të mirë dhe një eksperiencë më cilësore. Pa aplikacione për të instaluar. Pa cilësime për të ndryshuar. Pa njoftime që shpjegojnë çfarë po ndodh. Rrjeti thjesht bëhet më inteligjent.
Ky projekt është pjesë e strategjisë më të gjerë të Vodafone për modernizimin e rrjeteve radio (RAN) përmes arkitekturave të hapura dhe të bazuara në softuer. Duke bashkuar Inteligjencën Artificiale, automatizimin dhe dixhitalizimin e infrastrukturës, kompania po ndërton themelet e gjeneratës së ardhshme të rrjeteve: rrjete që marrin vendime gjithnjë e më inteligjente me ndërhyrje minimale njerëzore.
Testimi në Tiranë konfirmon gjithashtu rolin gjithnjë e më të rëndësishëm që Shqipëria po merr brenda ekosistemit të inovacionit të Vodafone Group. Pas demonstrimit të teknologjisë AI-powered Network Slicing të Vodafone Albania në partneritet me Nokia, Shqipëria po shndërrohet në një vend ku zhvillohen teknologjitë që do të formësojnë të ardhmen e konektivitetit.
Ndoshta ky është kuptimi i vërtetë i Inteligjencës Artificiale, jo ta vërejmë më shumë, por ta ndiejmë më pak, sepse ajo punon në sfond që gjithçka të funksionojë më mirë.

spot_img

Latest articles

Related articles