SPAK ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim ish-zyrtaren e Kadastrës së Durrësit dhe 3 të pandehur të tjerë.
Besjan Ramaj, Leonard Ramaj, Ardjan Malasi akuzohen për kryerjen e veprave penale “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në formën e bashkëpunimit të veçantë, atë të grupit të strukturuar kriminal; “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”. Rajmonda Dashi akuzohet për kryerjen e veprës penale “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” kryer në bashkëpunim.
Lexo edhe :
Arrestohet zyrtarja e Kadastrës/ SPAK: Rajmonda Dashi ka qenë e përfshirë në pastrimin e parave të drogës
Dashi akuzohet se ka qenë e përfshirë dhe ka ndihmuar dy vëllezër shqiptarë të dënuar në Belgjikë për drogë për pastrimin e parave të dyshuara si të përfituar pikërisht nga trafiku i lëndëve narkotike.
Paratë pasi silleshin në Shqipëri pastroheshin përmes investimeve në disa prona të ndryshme. Pas hetimeve të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe policisë, Gjykata e Posaçme ka vendosur masën ‘arrest shtëpie’ për zyrtaren e shtetit. Ndërkohë në pranga ka rënë edhe një person tjetër i përshirë gjithashtu në këtë skemë. Togat e zeza kanë vendosur gjithashtu në mungesë masën arrest me burg edhe për dy vëllezërit, të cilët vuajnë aktualisht dënimin e tyre në Belgjikë.
Konkretisht këta persona akuzohen për pastrim të veprës penale, grup të strukturuar si dhe kryerja e veprës penale në kuadër të grupit kriminal. Gjithashtu Gjykata ka vendosur edhe sekuestrimin e disa pronave, 12 apartamente në Fier, 4 apartamente të tjera në Tiranë si dhe 3 garazhe, 27 llogari bankare, një aktivitet tregtar si dhe 2 automjete.
Njoftimi:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përcjellë në datën 23.10.2024 pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar “Kërkesën për dërgimin e çështjes penale për gjykim” të procedimit penal nr.18/2023, në ngarkim të të pandehurve: Besjan Ramaj, Leonard Ramaj, Ardjan Malasi duke i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në formën e bashkëpunimit të veçantë, atë të grupit të strukturuar kriminal parashikuar nga neni 287/1 dhe 28/4; “Grupi i strukturuar kriminal” parashikuar nga neni 333/a/1/2 dhe “Kryerja e veprave penale në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 334/1 të Kodit Penal; si dhe të pandehurën Rajmonda Dashi duke e akuzuar atë për kryerjen e veprës penale “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 287/2 të Kodit Penal