“Shtet i Urdhërit Bektashi” në Shqipëri, nismë ANTI-KOMBËTARE e Edi Ramës

Nga Indrit Vokshi

Së pari, duhet theksuar se Rama është një klloun politik lokal, një prestigjator komik por njëkohësisht i dëmshëm.

Qysh nga koha e Sulltan Orhanit në 1362, deri në kohën e Sulltan Mahmudi II i cili i goditi jeniçerët në 1826, vetë Urdhëri Bektashi nuk ka pretenduar, as ka punuar për të pasur shtet të vetin. Kanë ndejtur të inkuadruar në Stamboll, pa pasur pretendime për shtet.

Në vitet 1500 urdhëri bektashi pati me vete rreth 12 mijë ushtarë sepse u bë dominant në trupën e jeniçerëve, por asnjëherë nuk tentoi seriozisht shtet, siç fjalavjen, udhëri teutonik gjerman, themeloi shtet në Balltik. Pra “shteti bektashi” nuk ka qenë e as është projekt i vetë bektashinjve.

Urdhri i Maltës gjithashtu, urdhër më i famshëm dhe më i fuqishëm sesa bektashinjt e Shqipërisë, sot ska territor të vetin. Është urdhër sovran në raport me ligjin ndërkombëtar por, pa territor. Vetëm urdhërit bektashi do ua japë Rama shtetin ..në vitin 2024.

Në rastin e Shqipërisë ska asnjë arsye për të synuar themelimin e një shtet-urdhëri. Nuk është e nevojshme. Çfarë kanë mbetur urdhëra me status të privilegjuar, kanë mbetur pasi i kanë mbijetuar historisë dhe shtetet kombëtare kur janë themeluar e kanë pasur detyrë të harmonizojnë të shkruarën, me të ardhmen. Mustafa Kemali e zgjidhi pa harmoni; në kuadër të laicizimit i dëboi bektashinjt nga Turqia dhe Sali Njaziu erdhi në Shqipëri.

Edhe vetë Vatikani ka bërë marrëveshje me shtetin italian, pikërisht sepse ka mbijetuar në histori dhe shteti e ka njohur realitetin. Prandaj shteti ka nënshkruar Traktatin Lateran me Vatikanin për të harmonizuar historinë me të ardhmen.

Komuniteti Bektashi sot, ska ndonjë të kaluar si entitet i tillë specifik e kompleks që shtetit shqiptar t’i lindë nevoja për të nënshkruar një marrëveshje specifike me të.

Bektashinjt i gëzojnë të gjitha liritë, të drejtat dhe autonominë nga ana e shtetit shqiptar; ua jep kushtetuta të gjithëve baraz. Bektashinjt nuk pengohen askund e në asnjë pikë. Pra ska asnjë argument pro themelimit të një shteti të tillë e as të garantimit të ndonjë autonomie më specifike se komunitetet e tjera.

Nëse do të ishte komunitet i dhunuar, mund të flisnim për t’i dhënë disa garanci shtesë. Mirëpo nuk gjendemi as para kësaj situate.

Është e nevojshme të theksohet se Shqipëria shtet unitar, është arritje e madhe e shqiptarëve. Arritje e Ahmet Zogut dhe e Enver Hoxhës. Nuk mundemi sot të kthehemi pas, tek shtet i segregacionit, krahinizmit dhe i copëzimeve të panevojshme.

Për më tepër kjo nisme për shtet të urdhërit Bektashi është anti-kushtetuese dhe anti-kombëtare sepse favorizon një urdhër, mbi të tjerët. Po sikur dhe Urdhëri Françeskan të kërkojë shtetin e vet? Është totalisht anti-kombëtare. Edhe thjesht hedhja për diskutim nga ana e kryeministrit i cili ka si detyrë të mbrojë integritetin territorial të Shqipërisë, quhet anti-kombëtare.

Është anti-kombëtare sepse godet kolonat e shtetit; kolonat e një shteti multi-fetar ku kushtetuta i trajton fetë në mënyrë të barabartë. Nuk mund të lejojmë një kryeministër të bëjë eksperimente me shtetin shqiptar sepse duam-sduam, shteti shqiptar është investim brezash dhe si i tillë duhet ruajtur.

Latest articles

Related articles