Tom Doshi dhe Shpëtim Idrizi “mbajnë në këmbë” mazhorancën në Kuvend! Sabotim në PS

Edi Rama është “falur” sërish te Tom Doshi dhe Shpëtim Idrizi për të siguruar mazhoracën në Parlament.

Kuvendi u mblodh në seancë plenare këtë pasdite, e cila u shty për shkak të ndarjes nga jeta të ish-deputetit Gerti Bogdani. Seanca nisi me një minutë heshtje, teksa më pas opozita u largua. Ndërkohë mazhoranca vijoi me votimin e ligjeve. Por, këtë herë në seancë mungonin disa deputetë të PS dhe ligjet nuk do të ishin miratuar nëse në sallë nuk do të ishin deputetët e PSD dhe të PDIU.

Ligjet kaluan me 72 dhe 73 vota, teksa ra në sy se kuorumi u arrit falë votë së deputetëve të PDIU dhe PSD. Në fillim të seancës ishin të katërt deputetët e PDIU, ku 3 abstenuan dhe një dha votë pro për ligjin e prodhimeve organike. Më pas u larguan Idrizi dhe Mesila Doda, duke lënë në sallë Nusret Avdullën dhe Gëzim Ademajn, që siguronin kuorumin.

Po ashtu, Ramës një dorë i dhanë edhe 2 deputetët e PSD, Gledis Çeliku dhe Gertja Deda. Nëse nuk do të ishin ata, PS sërish nuk e kapte kuorumin prej 71 votash në sallë. Kjo pasi deputetët e PDIU në disa raste abstenuan dhe PS zbriste në 69 apo 70 vota.


Shpëtim Idrizi ishte në opozitë, por kandidimi i Fredi Belerit në Himarë shtoi krisjet mes tij dhe Sali Berishës. Më pas nisi afrimi me mazhorancën dhe në shumë raste PDIU ka votuar ligjet e PS.

Ndërkohë Tom Doshi ka qenë gjithmonë krah Ramës. Pak kohë më parë pati një krisje mes tyre, pasi u shkarkuan disa drejtorë në Shkodër dhe kjo bëri që deputetët e PSD të mos jepnin votën, por situata duket se është qetësuar.

Sa i takon rendit të ditës, Kuvendi miratoi ligjin për studentët e mjekësisë, duke vijuar me kufizimet për ata që duan të ikin jashtë. Po ashtu ju dha një tjetër mandat Besnik Dervishit si Komisioner për të Drejtën e Informimit.

Latest articles

Related articles