Nga Endri Shabani
Këtë javë këshilltarët socialist në Këshillin Bashkiak të Tiranës miratuan nisjen e negociatave për ta dhënë stadiumin Selman Stermani me PPP.
Edhe socialisti Erion Veliaj, ashtu si socialisti Edi Rama, beson se privati është menaxher më i mirë i pronës publike se sa shteti, dhe për pasojë “o burra t’i privatizojmë çka mbetur!”
Dhe ne kemi parë se si pastaj ky privati na heq nga një fushë e ngre nga një kullë, siç bëri me stadiumin Qemal Stafa.
Madje, ky dorëzim tek privat bëhet pikërisht kur Tirana është në mes të një krize me mbledhjen e plehrave, të cilat ia kishim besuar një kompanie private, e cila presupozohej t’i mblidhte më mirë se bashkia.
Nga ana tjetër, nëse bashkia menaxhon përditë më pak shërbime publike, përse administrata e bashkisë dyfishohet dhe rrogat rriten çdo ditë?!
Për çfarë i rrisim rrogat e administratës nëse kanë më pak shërbime për të ofruar, e më pak pasuri publike për të administruar?!
Pak rëndësi ka që këta ‘socliaistët’ nuk kanë asnjë ide socialdemokrate në mënyrën se si e qeverisin këtë vend.
Rëndësi ka që të ndajmë njëherë e mirë se çfarë mendojnë ata se mund të bëjnë me pasurinë publike që i është lënë në administrim.
Nëse ata vërtetë besojnë se privati e menaxhon më mirë vendin, le të hapin krahun dhe të zgjedhim menaxherë më të zotë të pronës publike.