Dy vizione të kundërta për SHBA-të. Po cili është i duhuri? – Analiza e Ruel Domi

Donald Trump dhe Kamala Harris nuk paraqesin thjesht dy programe të ndryshme politike bazuar tek ndasitë tradicionale ideologjike midis Republikanëve dhe Demokratëve. Si asnjëherë më parë, dy kandidatët për Presidentë e vizionojnë fabrikën sociale Amerikane në mënyra diametrikisht të kundërta.

Nga Ruel Domi

Si student shqiptar në SHBA, por dhe si ‘qejfli’ i politikës e vecanërisht asaj Amerikane, ndoqa të plotë debatin presidencial midis Zv-Presidentes Harris dhe ish-Presidentit Trump. Kuptohet që hyra për ta parë debatin jo vetëm si student që dëshiron të informohet më cilësisht, por dhe si palë ideologjike e Republikanëve dhe Presidentit Trump. Studimi i shkencave politike më ka mësuar shumë dhe përplasjet politike midis liberalëve dhe konservatorëve, globalistëve dhe nacionalistëve, socialistëve dhe kapitalistëve, feministëve dhe tradicionalistëve janë të stërholluara mirë në leximin e “Wealth of Nations” të Adam Smith-it, “Estranged Labor” të Marksit ,“The Conscience of a Conservative” të Barry Goldwater-it, “Capitalism and Freedom” të Friedmanit e shumë të tjerë librave dhe eseve politike që pasurojnë leksikun dhe intuitën politike të cdo kujt. Pamvarësisht shënimeve që mora gjatë debatit Trump-Harris, mbërrita në një konkluzion që nuk m’u shqit nga mëndja deri tek fundi i debatit. Ky përfundim, edhe pse i paraqitur më shumë sesa një herë nga politologë amerikanë dhe jo vetëm, ka të bëjë me shkallën e lartë të polarizimit që politika amerikane ka pësuar. Nëse deri vonë politika amerikane dominohej nga dy parti që në letra kishin diferenca por që ideologjikisht ‘hanin’ më shumë djathtas sesa majtas, perceptimi aktual është që Partia Demokrate (e majta liberale) ka vajtur më majtas, ndërkaq që Partia Republikane (e djathta konservatore) ka lëvizur më djathtas. Kjo është arsyea pse shumë figura të partisë demokrate amerikane e konsiderojnë Presidentin Trump një ‘fashist’, ndërkaq që Trump e quajti Harris-in një ‘marksiste’ gjatë debatit Presidencial të zhvilluar javën e kaluar.

E vërteta është që pamvarësisht tendencës së medias për të vënë në dukje retoriken ‘quasi-autoritare’ të Presidentit Trump, Partia Demokrate Amerikane është partia që ka pësuar zhvendosjen e vërtetë ideologjike: nga partia e liberalit “welfare-state” Paul Wellstone, Partia Demokrate është komunistizuar në mendësi dhe politika nga socialistë si AOC, Bernie Sanders dhe Elizabeth Warren; nga partia e tradicionalistit dhe centristit Bill Clinton, tek partia e Harris që së fundmi në fushatë premtoi taksim pasurie dhe cmime tavan, dy politika skarco, të cilat dhe vetë liberalja “Washington Post” i ka konsideruar komuniste. E kapluar nga sekti ideologjik i së majtës kulturale “woke”, Partia Demokrate Amerikane ka braktisur dhe vlerat tradicionale që dikur përfaqësoheshin nga figura si FDR, duke mbështetur propozime qesharake dhe idioteske si nderhyrje e shtetit ne pagesën e operacioneve per ndërrim seksi dhe njohje e premisës anti-biologjike të gjinisë dhe seksit si dy nocione të ndara dhe pa lidhje me njëra tjetrën.

Nga ana tjetër, cfarë po premton e djathta gjoja ‘fashiste’ Trump? Deportim i emigrantëve të paligjshëm, lejimi i frekingut për të ringjallur industrinë e naftës si kyc për zhvillimin ekonomik, beteja ndaj përhapjes së ideologjisë “woke” dhe LGBTQ+ tek shkollat fillore, ulja e taksave si dhe shmangja e luftës së tretë botërore. Në letër, këto pika nuk mund të jenë as ekstremiste dhe aq më pak kontroverse, por në një kohë kur lëvizja “woke” u ka mbushur mendjen një pjese të konsiderueshme të elektoratit amerikan e vecanërisht të rinjve se aborti na paska më shumë rëndësi se ekonomia, se racizmi jo-ekzistent sistemik në shoqërinë Amerikane duhet luftuar me kunder-racizëm ndaj të bardhëve, dhe se fëmijët duhet të mësojnë në shkollë se mund ta zgjedhin apo madje dhe ta ndërrojnë gjininë e tyre, cdo lloj politike duket si e djathtë ekstreme. Nëse Partia Republikane ka ruajtur të njëjtat shtylla ideologjike që ka pasur në kohën e Reganit, Bushit, McCaini-t dhë Romney-t, Partia Demokrate Amerikane ka zgjedhur rrugën “woke” të ultraliberalizmit dhe marksizmit kultural identitar.

Sot Partia Republikane vijon te jetë partia e idealeve të 1776: shtetit të vogël, taksave të ulëta dhe të lidhura me përfaqësimin, sipërmarrjes dhe tregut si gjenerator i ekonomisë, familjes berthamore dhe vlerave tradicionale si katalizator i suksesit shoqëror. Këto vlera janë ato të cilët Amerikën e kanë bërë tokën e mundësive nga ku e gjithë bota vjen për një jetë më të mirë apo për më shumë mundësi. Kur vjen puna tek demokratët amerikanë, nuk mund të thuhet e njëjta gjë. Me përjashtime të figurave të moderuara si Joe Manchin apo Kyrsten Sinema, Partia Demokrate mbështet zmadhimin e shtetit dhe rritjen e taksave ndaj koorporatave si mënyrë për të krijuar “shtetin social” (më saktë socialist) në kurriz të iniciativës private. Në frontin social, demokratët mbështesin abortin pa limite, ndërsa luftojnë për përparimin e ‘të drejtave’ të komunitetit LGBTQ+ duke lejuar burrat të aksesojnë banjot e grave, të luajnë në sportet e grave si dhe duke mbajtur qëndrim të palëkundur në mbështetjen e të ‘drejtës’ së individëve për të ndërruar seksin/gjininë e tyre me operacion. Këto cmendurira janë pjesë e një kthese 360 gradë që kjo parti ka pësuar, duke ju larguar vlerave tradicionale për t’ju drejtuar sekularizmit majtist ku biologjia dhe objektiviteti humbasin vlerë përballë narcisizmit identitar.

Përvec debateve ekonomike dhe kulturore, SHBA përballet me një krizë në kufirin e saj jugor. Rreth 8 milionë emigrantë të paligjshëm kanë hyrë në SHBA që nga viti 2021, me Presidentin Trump që ka premtuar një fushatë deportimi, dhe me Harris që nuk ka një plan konkret për zgjidhjen e krizës. E majta globaliste e sheh mbushjen e Perëndimit me emigrantë të paligjshëm jo si problem por si burim votash në një kohë ku togfjalëshi “Mirëserdhët refugjatë” është bërë ethosi i apostujve të së majtës globaliste. Kjo, kombinuar me konsiderimin e “Ndryshimeve klimaterike” si rrezik ekzistencial, ka prodhuar politika si “The Green New Deal” ( e huazuar nga Marrëveshja e re e Roosvelt-it) ku paraqitet një plan i rrezikshëm për shfazimin e burimeve të djegshme dhe komunistizimit të ekonomisë nëpërmjet politikave jeshile anti-biznes: e gjitha në emër të gjoja mbrojtjes së klimës.

Demokratët e kanë konsideruar Presidentin Trump prej kohësh një rrezik për demokracinë. Vlen të thuhet që SHBA nuk është demokraci por një republikë kushtetuese me dy sistemet që kanë ndryshime të holla por të rëndësishme. Republika Kushtetuese e vë shumicën në plan të dytë dhe mbas shtyllave kushtetuese të një vendi. Në një Republike Kushtetuese si SHBA, amendamentet kushtetuese si amendamenti i parë (liria absolute e fjalës) marrin përparësi në politikëbërje përballë shumicave 50+1, e bazuar kjo tek shqetesimi i baballarëve themelues të SHBA nga “tirania e shumicave” që në Europën e kohës përfaqësohej nga demokracitë e drejtpërdrejta. Bazuar në këtë premisë, Partia Republikane beson se SHBA është ‘Republikë Kushtetuese’ dhe jo demokraci dhe se zgjedhjet mbi fabrikën sociale nuk duhen bërë vetëm në baza shumice por mbi të gjitha në baza parimesh kushtetuese dhe formuese të një vendi.

Përballja Trump-Harris nuk është thjesht një betejë midis një kandidati Republikan dhe një kandidati Demokrat. Është një përplasje vizionesh: një republikë kushtetuese e bazuar tek vlerat e lirisë ekonomike, politike dhe e balancuar nga hierarkia natyrore e vlerave, përballë demokracisë egalitariane të frymëzuar nga autoritarizmi identitar, anti-objektivizmi dhe post-modernizmi. Vizioni që fiton në këtë përballje do jetë vendimtar për të ardhmen e SHBA-ve dhe të botës së lirë. Zoti e di cfarë do të ndodhë kurse ne të tjerët e marrim vesh më datë 5 Nëntor…

Latest articles

Related articles