Papa në Singapor, destinacioni i fundit i udhëtimit në Azi e Oqeani

Pas largimit nga Timori Lindor, Papa Françesku mbërriti sot në Singapor, etapa e tij e fundit në udhëtimin e gjatë ndërmjet Azisë dhe Oqeanisë, i cili preku edhe Indonezinë dhe Papua Guinenë e Re. Në ishullin qytet-shtet prej gjashtë milionë banorësh (të shpërndarë në një arkipelag prej 58 ishujsh), në skajin jugor të Gadishullit malez, Ati i Shenjtë përfundon një shtegtim 12-ditor, që deri tani ka pasur një bilanc entuziazmues, me një itinerar ndërmjet Kishave të reja, tejet të gjalla dhe aktive – pavarësisht se periferike dhe ‘në kufi’ – dhe feve të tjera, me të cilat forcohen marrëdhëniet: në veçanti me Islamin indonezian, fe dominuese, por jashtëzakonisht tolerante, në vendin me më shumë myslimanë në botë.

Është pikërisht larmia shoqërore dhe kulturore e katër vendeve të Azisë Juglindore e Paqësorit, që e bën këtë udhëtim të Papës Bergoglio një nga më të rëndësishmit dhe më premtuesit për të ardhmen. Duke marrë parasysh se është më i gjati i papnisë së tij, duhet thënë se Ati i Shenjtë, me 87 vite mbi supe, u tregua më se në gjendje të përballojë lodhjen në takimet e bisedat, që e gjallëruan e i lanë një përshtypje shumë të mirë.

Dokumenti i nënshkruar në xhaminë Istiqlal
Në Indonezinë multi-etnike, ku mbizotëron botëkuptimi i “unitetit në larmi”, Papa u vuri vulën marrëdhënieve të rëndësishme në nivelin e dialogut ndërfetar, duke nënshkruar me imamin e madh të Xhamisë Istiqlal – lidhur me katedralen katolike nga “tuneli i miqësisë” – një “deklaratë të përbashkët”, që konsolidon rrugën e nisur në Abu Dabi me Dokumentin mbi Vëllazërimin Njerëzor, edhe ai, i nënshkruar bashkë me Imamin e madh të Al-Azharit. Deklarata e Xhakartës i impenjon fetë të izolojnë ekstremizmin dhe fundamentalizmin, për të mos nxitur luftëra, urrejtje dhe përçarje, përkundrazi, për t’u bërë mjete angazhimi të përbashkët kundër “kulturës së dhunës”.

Latest articles

Related articles