Serbia ka aleate Francën. Ne bëjmë tifo për Gjermaninë! – ANALIZA

“Miq, Serbia është tigër prej letre”

Janë mërzitur shumë vetë pse bleu Serbia avionë luftarakë nga Franca. “Është aleate e Rusisë dhe do hapë luftë të re në Ballkan”, shkruante njëri. Një tjetër shkruante se fuqia ushtarake e kthen në faktor rajonal. “Për çdo lëvizje në rajon duhet të pyetet ajo”, shkroi njëra. Pastaj, një tjetër shkruante se fuqia ushtarake është në përpjestim të drejtë me fuqinë ekonomike, sepse tregon se ku duhet të shkosh për të bërë biznes. E lloj e soj argumentesh. T’i marrim me radhë:

  • S’e dinë këta që ne kemi aleatë Amerikën që është më e fuqishme se Rusia. Si thoshte shoku Enferr: një sulm ndaj Shqipërisë është sulm ndaj Kinës motër. Jo ndaj 3 milion shqiptarëve, por ndaj 1 miliard e tre milionë marksistëve. Kësisoj, si qëmoti, sot na mbron Amerika. Ne s’kemi nevojë për armatim. Madje, edhe nëse mund t’i blinim me çmime preferenciale sepse jemi vend i NATO-s, s’na duhen fare se na mbrojnë vetë amerikanët. Vetëm krimineli Enver Hoxha blinte armatim ose kërkonte armatim nga aleatët. Sapo ne morëm pushtetin i shitëm armët. S’lamë asnjë gëzhojë. Ç’i do! Sot s’ka më luftë se jemi vend demokratik me Partinë Demokratike me shokun Sali në krye dhe Partinë e rinovuar komuniste me Edi Ramën në krye. Me ato armë që na dha Kina dikur bëmë shtëpi e prokopi sot. Çojmë fëmijët në shkollë dhe mbajmë dashnoret me bukë. Poshtë Enver Hoxha, o komunist i qelbur që e ke mendjen te armiku i jashtëm!
  • Serbia faktor rajonal. Ajo blen avionë se nuk ka det. Ajo na lufton nga ajëri, ne nga deti. Peshkarexhave që përdorim për peshkim do t’i vendosim disa raketa të fuqishme që të shuajnë në rast lufte. Miq, njërën prej anijeve e kemi për raste dasmash. Atë s’e lëvizim dot se sjell të ardhura për ushtrinë.
  • Serbia fuqi ekonomike. Kjo është për të qeshur fare, miq. Ne e dimë se Edi Rama, po të dojë, blen dhjetëra avionë. Por ai s’do vetë. Kontrolli i Lartë i Shtetit thotë se çdo vit ikin në drejtim të paditur rreth 1.1 miliardë euro. Vetëm Edi Rama e di ku shkojnë këto 1 miliard euro. Ai ruan çastin që t’i shpenzojë këto lekë për një ditë të zezë, në raste konfliktesh, dhe ta nxjerrë faqebardhë nënën Shqipëri. S’do vetë ai se, po ta shohësh, në 10 vjet qeverisje, sikur të mbledhësh buxhetet, diku te 60 miliard dollarë, e kupton se ç’ka bërë ai për vendin. E ka bërë Shqipërinë lule. Ka rritur pensionet, çdo familje ka nga tre shtëpi, bota vjen me pushime në Shqipëri, amerikanët vdesin të na kenë aleatë… Miq, s’kemi çuar lekë për ushtrinë se Edi Rama dhe shokët e tij kanë pasaportë amerikane dhe ikin atje në rast lufte. Prej andej komandojnë brigadat luftarake në Shqipëri.
  • Serbia faktor stabiliteti. Të drejtën për t’u quajtur faktor stabiliteti e kemi vetëm ne. Edhe në luftë, edhe në paqe, ne jemi faktor stabiliteti. Kanë gjithë jetën që na e thonë. Kemi hapur ndonjëherë probleme ne? Asnjëherë. Si thotë shprehja – ç’ke që i bërtet atij?! Ai përshesh po ha, i shkreti!
    Ja, sot, për shembull, a nuk është stabilitet të shohësh se Edi Rama është në politikë që prej vitit 1998, njësoj si Aleksandër Vuçiqi në Serbi. Prandaj, kot e keni, se do ketë tensione në të ardhmen. Kur të kemi vdekur ne edhe mundet. Por, nëse mua më ka mbirë bari, ç’më intereson se çfarë ndodh me fëmijët e mi!!! Sot, ju e dini se Edi Rama e ka shok Vuçiqin dhe nuk ka tensione. E merr në telefon dhe i thotë – ose njih pavarësinë e Kosovës, ose e anulova Ballkanin e hapur.
  • Serbia ka aleate Francën. Ça thua more! Ne kemi aleate Gjermaninë. Ke parë ndonjëherë tifoza më të zjarrtë gjermanë se në Shqipëri? Ke parë se ku emigrojnë shqiptarët? Madje, ne bëmë Ballkanin e hapur për ta nxjerrë fare nga loja Gjermaninë në Ballkan me projektin e saj “Procesi i Berlinit” që të mos kishte kokëçarje me problemet tona por të foksohej që të merrte sa më shumë emigrantë shqiptarë dhe të lehtësonte mirëqeverisjen e Edi Ramës.

Miq, Serbia është tigër prej letre.

Latest articles

Related articles