“Të çojmë Edi Ramën në Indonezi apo marrim indonezianët këtu?” – ANALIZA

nga Sebastian Zonja

Televizionet kombëtare na lajmëruan se ekspertët e ekonomisë sugjerojnë se Shqipëria duhet të zhvillojë diplomaci agresive ekonomike për të marrë punëtorë nga vende të treta. Për çudi kjo përputhet me thirrjen e kryeministrit Edi Rama se duhet të fillojmë të kërkojmë krahë pune në Indonezi dhe vende të atij rajoni.

Historiku

Në vitet ’60, Gjermania dhe Franca filluan të marrin emigrantë të shumtë nga vende të treta. Gjermania mori kryesisht turq ndërsa Franca magrebinë. Duke qenë se kishte nevojë për krah pune, politikanët filluan që emigrantët t’i largonin nga syri i publikut dhe i çuan nëpër lagje të posaçme që të mos hapeshin probleme.
Sot, pas kaq vitesh, vëmë re se emigrantët e dikurshëm kanë krijuar komunitete autonome që funksionojnë si shtet brenda shtetit. Kjo ka sjellë probleme të mëdha në këto vende, ndërsa lëvizjet populiste kanë në fokus emigracionin dhe dallimet fetaro-kulturore.

Ana teorike

Kompleksi industrial gjerman dhe francez kishte të njëjtën qasje me marksistët e kohës – njëra palë kërkonte krahë pune, tjetra kërkonte të njihte Tjetrin. Sa më shumë emigrantë, aq më shumë proletarë. Sa më shumë proletarë, aq më afër revolucioni. Ndërkohë, na rezultoi se sapo emigranti hoqi prangat e punës stërmunduese dhe mori pasaportën, iu kthye pyetjeve identitare për të kërkuar rrënjët. Nuk iu bashkua revolucionit marksist botëror.
Industrialistët e pasur mbeten nën transhendentalin e tregut, me shprehjen se paraja nuk ka ngjyrë dhe e hedh ujin përpjetë. Kanë një kërkesë – të rrisin fitimet, pa asnjë skrupull moral. Pikërisht këtë kemi keqkuptuar këto kohë, gjatë tranzicionit – tregu nuk ka vlera. Virtytet i ka njeriu dhe i indukton në treg. Këtë na thotë edhe Adam Smithi si filozof i etikës, se kapitalizmi u themelua kur tregu u pajis me vlera (për shembull, ndalimi i skllavërisë).

Modelet sot

Kemi modele si mund të ndërtohet një ekonomi kombëtare e shëndetshme. Janë Lituania apo Danimarka. Nga Lituania mund të marrim modelet e investimit në arsim për të ndikuar në tregun evropian me krahë pune të kualifikuar. Këto vende investuan dekada më parë te informatika dhe sot kanë njerez të kualifikuar pune për kompanitë më të fuqishme teknologjike në botë.
Danimarka ndërkohë mund të merret si model për të treguar se investimi në kulturën vendase, për të shtuar fuqinë asimiluese të shtetit me shkolla dhe institucione të tjera, si dhe investimi për të rinjtë që të marrin shtëpi me pak kosto sapo martohen; financimi për rritjen e fëmijëve nga taksat shtetërore është model që ka funksionuar dhe ka krijuar kohezion të fortë, apo atë që e quan R. Putnami “kapitali social”.

Shqipëri

Në fakt, nuk po fliste Edi Rama për krah pune. Po flisnin Shefqet Kastrati dhe Samir Mane me shokët e tyre që fitojnë pa prodhuar. Ata janë një me Ramën. Nuk i ndan dot. Ata janë bankomati i Edi Ramës. Edi Rama është zëri i tyre.
Vendi ynë nuk ka fuqi asimiluese. Mësues nuk kemi. Arsimi është i dobët. Kombëtarizmi është folklorik. Madje, ne nuk kemi mundur të integrojmë komunitetin rom, jo më të asimilojmë krahun e punës, atë që do mbetet pasi ta kenë marrë vendet e fuqishme të Bashkimit Evropian, nga Malajzia, Bangladeshi, Pakistani apo Indonezia. Nuk do vinë gjyqtarët dhe inxhinjerët e mirë indonezianë në Shqipëri. I merr Gjermania dhe Franca ata. E merrni me mend vetë se ne do marrim punëtorët e krahut.
Pas 20 vjetësh, kur Edi Rama të jetë harruar dhe të na duket si burri i madh i kombit, problemet do t’i kemi ne si qytetarë. Do vërejmë geto kudo nëpër qytete. Miqtë e Edi Ramës do pinë kafe nëpër lokalet më të shtrenjta, si sot. Ata do kenë hotelet dhe resortet ku shumica nuk do mund të shkelë. Do rrinë te ajo pikëza e vogël në hartë që na tregonte nga parlamenti ministrja Mirela Kumbaro. Do kthehemi në një lloj eksperimenti i dështuar.
Shiheni sot. Me kullat në Tiranë, Edi Rama po rijeton rininë e humbur nën komunizëm, duke sjellë modelin amerikan të shekullit të shkuar sot.

Zgjidhja

Nuk ka zgjidhje të thjeshta për probleme të ndërlikuara. Zgjidhjet e thjeshta i kanë populistët dhe ekstremistët. Zgjidhja është investimi në arsim dhe krijimi i kushteve të duhura për çiftet e reja që të ndërtojnë të ardhmen në Shqipëri. Që kjo të ndodhë duhet të ndryshojë struktura ekonomike. Është fat që jemi ende vend i orientuar kah familja. Kjo është e rëndësishme. Nuk do të zgjasë shumë kjo kulturë.
Kemi përpara krizën e rëndë të pensioneve që mund të shkatrërrojë ekonominë pas pak vitesh, po ashtu edhe mungesën e madhe të krahut të punës. Zgjidhjet që paraqet Edi Rama dhe ekspertët e tij të ekonomisë janë sa për ta fashuar plagën që mos ta shohim qartë.

Latest articles

Related articles