Edhe pse janë pa ambasador prej vitesh në vendin tonë, Amerikanët në ambasadë kanë kohë të pyesin shqiptarët për ushqime dhe gjëra të tjera jo diplomatike. Asnjë fjalë për demokracinë.
E Ngarkuara me Punë e SHBA-së në Tiranë, Nancy VanHorn ka ndarë një mesazh në gjuhën shqipe, ku shpreh përkushtimin për të mbështetur Shqipërinë në rrugën drejt integrimit europian dhe për të forcuar më tej lidhjet mes dy vendeve.
Përmes një videomesazhi të publikuar nga ambasada e SHBA-së në Tiranë, VanHorn shpreh interesin për të zbuluar dhe mësuar më shumë për Shqipërinë.
“Nga viti 2007 kur ju bashkova Shërbimit të Jashtëm të Shteteve të Bashkuara, kam punuar si diplomate në të gjithë Europën Lindore, përfshirë ambasadat në Ukrainë, Armeni dhe Rusi”, u shpreh ajo.
“Jam e lumtur që jam në Shqipëri dhe do të punojmë së bashku për të promovuar vlerat demokratike, për të rritur sigurinë dhe bashkëpunimin si aleatë të NATO-s dhe për të çuar përpara rritjen ekonomike. jam e përkushtuar që të mbështes Shqipërinë në rrugën drejt BE-së dhe të forcimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.
“Kam qenë duke mësuar shqip dhe mezi pres të zbuloj vetë kulturën e pasur të Shqipërisë. Për këtë më duhet ndihma juaj për të filluar. Faleminderit për mikpritjen tuaj të ngrohtë në vendin tuaj të bukur. Pres me kënaqësi të zbuloj, të mësoj dhe të krijoj miqësi që i qëndrojnë kohës”, u shpreh VanHorn.
Ajo gjithashtu kërkoi ndihmën e qytetarëve për të mësuar më shumë mbi kulturën shqiptare duke bërë tre pyetje: Cilin vend duhet të vizitojë të parin? Cili është ushqimi që duhet të provoj patjetër? Dhe, cilin libër që tregon shpirtin e vendit tuaj më rekomandoni?



