Duhet mbrojtur demokracia, në USA, Ukrainë dhe Shqipëri e Kosovë

Përgatiti Parid Turdiu

Dje, Biden foli nga Zyra Ovale për të shpjeguar vendimin e tij për t’u terhequr. Edhe një herë foli si një politikan – zotni, pa mllefe e pishmane, i kthjellët, që vuri interesin e vendit para egos se verbër:

Ja pjesa më e madhe e fjalimit:

… Unë respektoj këtë ofiq, por e dua vendin tim më shumë. Ka qenë nderi i jetës sime të shërbej si presidenti juaj. Por mbrojtja e demokracisë, e cila është në rrezik, mendoj se është më e rëndësishme se çdo titull. Unë marr forcë dhe gëzim nga puna për popullin amerikan. Por kjo detyrë e shenjtë e përmirësimit të bashkimit tonë nuk ka të bëjë me mua, ka të bëjë me ju. Familjet tuaja, të ardhmen tuaj.

Ka të bëjë me ne, popullin. Dhe nuk mund ta harrojmë kurrë këtë. Dhe unë kurrë nuk e kam harruar. E kam bërë të qartë se besoj që Amerika është në një pikë infleksioni, në ato momente të rralla në histori, kur vendimet që marrim tani përcaktojnë fatin e kombit tonë dhe botës për dekadat e ardhshme. Amerika duhet të zgjedhë midis lëvizjes përpara ose prapa, midis shpresës dhe urrejtjes, midis unitetit dhe përçarjes.

Ne duhet të vendosim: A besojmë ende në ndershmëri, dinjitet, respekt, liri, drejtësi dhe demokraci? Në këtë moment, mund t’i shohim ata me të cilët nuk pajtohemi jo si armiq por si, dua të them, bashkëamerikanë – a mund ta bëjmë këtë? A ka ende rëndësi karakteri në jetën publike? Besoj se e dini përgjigjen për këto pyetje sepse ju njoh ju, popullin amerikan.

Në javët e fundit, është bërë e qartë për mua që duhet të bashkoj partinë time në këtë përpjekje kritike. Besoj që rekordi im si president, udhëheqja ime në botë, vizioni im për të ardhmen e Amerikës, të gjitha meritonin një mandat të dytë. Por asgjë, asgjë nuk mund të pengojë shpëtimin e demokracisë sonë. Kjo përfshin ambiciet personale.

Kështu që kam vendosur që rruga më e mirë përpara është t’ia kaloj stafetën një brezi më të ri. Është mënyra më e mirë për të bashkuar kombin tonë. E di që ka pasur një kohë dhe një vend për dukë me vite të gjata përvoje në jetën publike. Ekziston gjithashtu një kohë dhe një vend për zëra të rinj, zëra të freskët, po, zëra më të rinj. Dhe ajo kohë dhe vend është tani.

Sot kemi ekonominë më të fortë në botë, duke krijuar gati 16 milion vende të reja pune – një rekord. Paga janë rritur, inflacioni vazhdon të bjerë, hendeku i pasurisë racore është më i ulëti që ka qenë në 20 vjet. Ne po rindërtojmë të gjithë kombin tonë – komunitetet urbane, periferike dhe rurale dhe tribale. Manifaktura është kthyer në Amerikë. Ne po udhëheqim botën përsëri në çipa dhe shkencë dhe inovacion. Më në fund kemi mundur Big Pharma pas gjithë këtyre viteve për të ulur koston e ilaçeve me recetë për të moshuarit.

Unë kandidova për president katër vjet më parë sepse besoja dhe ende besoj se shpirti i Amerikës ishte në rrezik. Vetë natyra e asaj që jemi ishte në rrezik. Kjo është ende rasti. Amerika është një ide. Një ide më e fortë se çdo ushtri, më e madhe se çdo oqean, më e fuqishme se çdo diktator apo tiran. Është ideja më e fuqishme në historinë e botës. Kjo ide është që ne i mbajmë këto të vërteta si të vetëkuptueshme.

Ne të gjithë jemi krijuar të barabartë, të pajisur nga krijuesi ynë me disa të drejta të patjetërsueshme: jetë, liri, kërkim i lumturisë. Ne kurrë nuk e kemi jetuar plotësisht këtë – këtë ide të shenjtë – por kurrë nuk jemi larguar prej saj. Dhe nuk besoj që populli amerikan do të largohet prej saj tani.

Askund tjetër në Tokë nuk mund të ndodhë që një fëmijë me belbëzim nga fillimet modeste në Scranton, Pa., dhe në Claymont, Del., një ditë të ulet pas Tavolinës së Vendosmërisë (Resolution Desk) në Zyrën Ovale si presidenti i Shteteve të Bashkuara, por ja ku jam.

Gjëja e madhe për Amerikën është, këtu mbretërit dhe diktatorët nuk sundojnë – populli sundon. Historia është në duart tuaja. Fuqia është në duart tuaja. Ideja e Amerikës qëndron në duart tuaja. Ju vetëm duhet të mbani besimin – mbani besimin – dhe kujtoni kush jemi. Ne jemi Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe nuk ka absolutisht asgjë, asgjë përtej kapacitetit tonë kur e bëjmë së bashku. Pra, le të veprojmë së bashku, të ruajmë demokracinë tonë. Zoti ju bekoftë të gjithëve dhe Zoti i mbroftë ushtarë tanë. Faleminderit.

Latest articles

Related articles