Politikanë të fiksuar dhe…të pafiksuarit si ushtarët e të fiksuarve!

nga Artan Fuga

Edhe opozita është fiksuar te “lista e fiksuar” e kandidatëve për deputetë, njësoj si shumica!

Ajo kështu fik dritat e elektoratit të saj.

Nëse e voton apo qenka dakordësuar me këtë ndryshim, sjellja e saj politike paska arritur në pikën e moskthimit.

Nuk kuptoj se çfarë kanë me ish Kryetarin e PD, z. Lulzim Basha, në këtë rast! Po bëjnë fiks të njëjtën gjë, për të cilën e kritikojnë!

Elektorati tani mund të shkojë në plazh i qetë!

Bakllavaja është ndarë tashmë mes shefave.

Kemi 30 e kusur vjet që luajmë me kodin elektoral. Ndryshim pas ndryshimesh. Nuk gjejnë rehat partitë kryesore politike. Gjithsesi ajo që bën të përbashkëtën në të gjitha këto ndryshime, si rezultate politike të qendrueshme janë dy:

  1. Kemi në 40 vjet (ku po shkojmë) të njëjtën klasë politike drejtuese.
  2. Kemi monopol politik të një ose dy partive politike, dhe një kostelacion partish pa elektorat që vijnë rrotull të parave.

Ky është stagnacioni politik në vend, me ato tipare të stagnacionit politik në vendet autoritariste pas luftës së ftohtë, ose si më parë 45 vjet PPSH ! (Lart frymën e Kongreseve!)

Shoh draftin e marrëveshjes midis PS dhe PD për ndryshimet e Kodit zgjedhor dhe lexoj me trishtim, hilaritet, se listat e kandidatëve për deputetë do t’u ndakan në dysh për çdo parti:

  1. Lista e kandidatëve të fiksuar, që partia i vendos dhe kanë privilegje sepse vendet e tyre janë fiksuara. Janë çimentuar aty.
    Krerët e establishmentit politik të çdo partie do të privilegjojnë veten.

Ku e kanë parë këtë në ndonjë kod elektoral të ndonjë demokracie? Do të pajtohet OSBE, BE, KE, PE, me këto lojëra që tallen me elektoratin?

  1. Lista e kandidatëve që do të dalin mes një lufte vëllavrasëse midis tyre për të dalë deputetë.

Cila është e vërteta në sociologji politike e kësaj dakordësie?

Krerët e establishmentit politik marrin një pozitë të privilegjuar në çdo parti politike. Pra distancohen nga deputetët e tjerë “langaraqë” të po asaj partie. Të përjetshmit mbeten të përjetshëm.

Deputetët e “pafiksuar”, ose “të frikësuar”, pra që do të luftojnë për vota kundër njeri tjetrit, do të vihen nën sundimin e krerëve të “fiksuar” sepse këta të fundit, nga maja e Olimpit do të përcaktojnë edhe fatin e të pafiksuarëve, duke i pasur nën kontroll dhe luajtur me fatin e tyre politik.

I gjithë ky ndryshim nuk është veçse antikushtetues sepse hedh në erë barazinë e shtetasve shqiptarë për t’u zgjedhur. Ca të fiksuar dhe ca të pafiksuar!

Ta shohim a do ta çojë ta ankimojë opozita këtë në Gjykatën Kushtetuese?

Apo të fiksuarit e opozitës nuk kanë interes ta bëjnë!

Latest articles

Related articles