400 mijë € gjobë për vilat që ndërton në Sauk. Si u shantazhua ish-deputeti në telefon dhe zyrë


Ditën e djeshme, policia njoftoi se kishte vënë në pranga 24-vjeçarin Selman Totraku, i akuzuar se ka kërcënuar me qëllim dhënien e pasurisë ish deputetin Vladimir Kosta, me pretendimin se ky i fundit i ka dëmtuar banesën.

Redaksia mëson se si ka ndodhur e gjithë ngjarja, gjë që ka çuar edhe në ndërhyrjen e forcave të policisë.

Bazuar në kallëzimin penal, ish deputeti mësohet se po ndërton një kompleks vilash buzë rrugës kryesore në Sauk dhe në kufirin e pronës ku po bëhen punime, ka banesën i arrestuari.

Ky i fundit, me pretendimin se i është dëmtuar banesa nga punimet, ka kontaktuar me ish-deputetin nëpërmjet telefonit dhe i ka kërkuar shumën prej 20.000.000 lekë.

Nga ana tjetër, Vladimir Kosta nuk ka pranuar të paguajë shumën e kërkuar, me arsyetimin se banesa e shtetasit Selman Totraku nuk ishte dëmtuar, por ka treguar gatishmëri për të dërguar ekspertë që ta vlerësonin.

I arrestuari ka vijuar të këmbëngulte për të marrë shumën e parave, duke shprehur se nëse ai nuk do të paguante, do t’i detyrohej dyfish, pra 40.000.000 lekë.

Kosta dhe fqinji janë takuar edhe përballë për të sqaruar çështjen, por Selman Totraku ka vijuar me pretendimin e tij për dëmtimin e pronës, teksa pas këtij takimi, i arrestuari ka vijuar t’i shkruajë përmes telefonit, madje duke e kërcënuar atë dhe familjarët e tij. Ndërkohë, ish-deputeti e ka paralajmëruar disa herë për kallëzim penal.

Në datën 23 korrik, Selman Totraku madje ka shkuar në ambientet e zyrës së kompanisë së Vladimir Kostës, duke kërkuar shumën prej 20.000.000 lekësh dhe pas largimit nga atje, ka vijuar kërcënimet me telefon, të cilat janë faktuar edhe nga policia pas sekuestrimit të telefonit të të arrestuarit.

Në këto kushte, Vladimir Kosta i ka kthyer përgjigje se do t’i jepte një pjesë të parave dhe se shumën do ia dorëzonte në kantierin e ndërtimit. Ndërkohë ai ka thirrur forcat e policisë, të cilët kanë arrestuar në flagrancë të akuzuarin. Në cilësinë e provës materiale, policia ka sekuestruar telefonin e Selman Totrakut, ku janë gjetur mesazhet kërcënuese, si edhe fotografi të familjarëve të ish deputetit, të marra nga rrjetet e tyre sociale

Latest articles

Related articles