“Shqipëria 2030 – Meriton më shumë” – nga Gjergji Nika

Përse Shqipëria 2030 dhe jo 2024, 2025, 2027?…
Gjithmonë Shqipëria ka merituar shumë!
Shqiptarët vërtet që meritojnë më shumë, shumë më shumë!
Sepse shqiptarët nuk meritojnë këtë rritje galopante të çmimeve dhe të kostos së jetesës!

Sepse nuk e meritojnë varfërinë e tejskajshme të ulur këmbëkryq në Shqipëri, sytë plot dhimbje të njerëzve që varfërohen çdo ditë e më shumë dhe sytë e trishtuar të prindërve e të rinjve, që s’shohin perspektivë!

Sepse nuk e meritojnë korrupsionin qeveritar, krimin e drogën.
Sepse nuk e meritojnë që meritokrcia të zëvendësohet nga rryshfeti, korrupsioni e patronazhizmi partiak!
Sepse nuk meritojnë pehlivanët e pazarxhinjtë politikë!

Sepse nuk e meritojnë vrasjen e shpresës së shqiptarëve për një jetë e perspektivë më të mirë nga kjo klasë e kalbur politike, nga ky establishment 34 vjeçar që na mban peng!

Sepse nuk e meritojnë eksodin biblik të të rinjve, të cilët në Shqipëri nuk shohin shpresë!

Sepse nuk e meritojnë cilësinë përtokë të shërbimeve shëndetësore dhe e shëndetësisë!

Sepse nuk e meritojnë largimin përgjithmonë nga atdheu të mjekëve, infermierëve, inxhinierëve, pjesës më të arsimuar e të denjë të Shqipërisë!

Sepse nuk e meritojnë cilësinë e keqe e arsimimit të fëmijëve, që nesër do të jenë e ardhmja! Dhe si arsimohen të rinjtë sot, ashtu do të jetë edhe e ardhmja!

Sepse shqiptarët nuk e meritojnë që të jenë të vjedhur në gjithçka, dinjitet, ekonomi, ndershmëri, meritokraci!

Sepse nuk e meritojnë tjetërsimin e vullnetit të tyre të lirë, vjedhjen e grabitjen e votës!

Sepse nuk e meritojnë sjelljen arrogante të qeverisë dhe e kreut të saj, abuzimet me pasurinë publike, vjedhjet e pronës dhe e djersës tënde e të të parëve të tyre!

Sepse nuk e meritojnë pasurimin e paimagjinueshëm të një grushti oligarkësh, që kanë vënë nën shërbimin e tyre qeverinë dhe një pjesë të opozitës për të varfërur gjithnjë e më shumë shumicën e ndershme të Shqipërisë!

Sepse nuk e meritojnë mungesën e transparencës, përgjegjshmërinë e llogaridhënie nga qeveritarët tanë të çdo niveli!

Sepse nuk e meritojnë këtë klasë politike, produkt “Katovice”, që bën pazare në kurriz të tyre!

Por…
Atdheu, shqiptarët e Shqipëria, e ardhmja e fëmijëve tanë janë në rrezik!

Por shqiptarët me përgjegjshmëri, qytetari, atdhedashuri dhe përgjegjësi e kuptojnë se duke “merituar më shumë” shkëputen njëherë e përgjithmonë nga e kaluara politike, që i mban peng!

Dhe shqiptarët meritojnë një lider të ri, që t’ua thotë në sy të vërtetat dhe të përballet me “Trekëndëshin e Bermudës!”
Kanë nevojë për një lider të ri politik, i cili flet me programe dhe kauza e tij nuk është “lirimi i të korruptuarve”!
Kanë nevojë për një lider të ri politik me staturë europiane dhe jo të përjashtuar e të izoluar nga ndërkombëtarët!
Kanë nevojë për një lider të ri, i cili e mbron dhe e mbështet çdo çast SPAK dhe Drejtësinë e re dhe nuk e lufton pasdite, pasi e ka “mbrojtur” paradite!

Shqipëria ka nevojë që t’i rikthehet truri i larguar padrejtësisht jashtë; fillimisht me të drejtën e votës dhe më pas me pozicionet drejtuese që ata do të meritojnë në Shqipërinë e re!

Shqipëria ka nevojë të investojë tek rinia, si forcë gjeneruese e së ardhmes!
Shqipëria dhe shqiptarët meritojnë shtet ligjor, drejtësi të re e të pavarur e jo të intimiduar nga dinozaurët e politikës shqiptare!

Që Shqipëria të shpëtojë, që rinia ta shohë të ardhmen këtu, që të mos jemi më të varfër e të vjedhur; që t’i themi NDAL vrasjes së Drejtësisë, meritokracisë e shpresës, vrasjes së të ardhmes sonë!

Ndaj, të dashur shqiptarë, nëse gjeni qoftë edhe një arsye nga sa më sipër, me të cilën jeni dakord, atëherë, atëherë JU MERITONI MË SHUMË!

Shqipëria dhe e ardhmja duhet të jenë për shqiptarët, të cilët besojnë, përpiqen e luftojnë për të merituar më shumë!

Latest articles

Related articles