Prof. Tualanda Jupi: Të zgjedhim rrugët tona në mes të kësaj paparashikueshmërie

Ndërsa vështrimi tretet larg, përtej dritares së makinës, në peisazhin herë të njohur e herë të panjohur, kupton sa thellësisht ngjajnë udhëtimet me rrjedhën e vetë jetës.

Ndërsa peisazhi ndryshon vazhdimisht me shpejtësinë marramendëse të këtij udhëtimi, çdo kthesë pas të cilës nuk e di çfarë fshihet, çdo moment i përkohshëm drite dielli, çdo cep i errët e i pakuptueshëm që duket një çast, simbolizon natyrën kalimtare të ngjarjeve e rethanave mes të cilave ecim.

Rrugëtimet tona rrallëherë ndjekin vijat e drejta që vizatojmë në “harta” imagjinare që logjika dhe përvoja ofron, përkundrazi ata shpeshherë devijojnë në territore të papritura dhe të paeksploruara.

Ne duhet të zgjedhim rrugët tona në mes të kësaj paparashikueshmërie, herë mes mjegullës, here mes diellit përvëlues, duke kuptuar se janë pikërisht këto zgjedhje që përcaktojnë pikën e horizontit ku duam të mbërrijmë.

Mbërritja është veç një çast, në fund të një rrugëtimi gjatë të cilit zgjedh të qëndrosh fort pa u ndikuar dhe pa u lëshuar në kthesat e papritura që tentojnë të të përpijnë në forcën e tyre centrifugale e shpesh të hedhin tej, ose zgjedh të ngadalësosh apo edhe të ndalësh një moment… zgjedh ndoshta të shtosh shpejtësinë dhe të parakalosh duke sfiduar …
zgjedhja ështe aty për gjithkënd.

Mbërritja është vetëm një çast, mënyra si mbërrijmë është ajo që na përcakton ne dhe rrugëtimin tonë.

Latest articles

Related articles