Rrëfehet “berberi” i deleve: Marr 3 euro për 1 kokë në Greqi, bëja 900 euro për 6-7 orë



Loni, qethësi i deleve nga fshati Lavdar i Korçës, i cili e bën këtë punë prej rreth 30 vitesh tashmë, shprehet se në Greqi ku punon prej kohësh paguhet 3 euro për një kokë deleje për ta qethur.

Ai thotë në emisionin “Real People” se bashkë me 2 kolegët e tij atje, mund të qethë deri në 300 dele për 6 orë. Gjithsesi, ai tashmë gjendet në Shqipëri për të ndihmuar falas disa të njohurit e tij që kanë dhën.

“Jam 44 vjeç, kam qethur që në Lavdar. Në Greqi kam qethur kope të mëdha, në Shqipëri 10-15-20 kokë. Në Greqi qeth me shokë, 60 mijë kokë. Kam dy shokë nga Rrajca nga Librazhdi që qeth. 300-400 kokë unë i qeth…

Merrem edhe me çati, me çfarë pune të dali. Gërshërën e kam zanat që i vogël. Ka tym delja, ka pluhur. Do kolpo ta mbash delen, se nuk qëndron.

Këtu janë 300 kokë, po të kisha shokët e mi në Greqi, në orën 2-3 3 veta ne i mbaronim. Për 6-7 orë 300 dele vetëm. 3 euro kokën. 900 euro merrja unë tani me shokët e mi për të qethur”, tha Loni.


Ai rrëfen dhe për vizitën e tij të parë në zonën e ish-Bllokut në Tiranë. Loni u shpreh se atje është shumë zhurmë, e madje nuk të thotë njeri “mirëmëngjes” e “mirëmbrëma”.

Sipas tij, ndryshe ndodh në fshat, ku njerëzit janë shumë më të sjellshëm. Loni tha se kjo gjë ndodh pasi në qytet njerëzit “nuk kanë mend”.

“Isha në dhjetor në zonën e ish-Bllokut në Tiranë. Mirë mu duk, por zhurmë shumë. Njerëzit nuk janë si këtej nga ne. Këtej nga ne njerëzit janë të urtë e të butë, kemi mirëmëngjes e mirëmbrëma. Në Tiranë nuk ke as mirëmëngjes e as mirëmbrëma. Nuk ka mend atje”, tha Loni

Latest articles

Related articles