Miklimet e rrezikshëm perëndimorë – ANALIZA e Federico Rampini

Në takimin e nivelit të lartë mbi Ukrainën nuk ishte Xi Jinping: nuk ka pranuar ftesën. Nga Moska Vladimir Putini (i paftuar) ka diktuar kushtet e një pushim zjarri. Përfshijnë bashkëngjitjen e gjithshkaje që Rusia ka zaptuar tashmë me një luftë kriminale; për më tepër edhe krahina të tjera të cilat Putini as që i ka pushtuar. Diktati më i rëndë është që Ukraina të heqë dorë nga çdo bashkëpunim ushtarak me Perëndimin. Një dorëzim pa kushte. Ukraina do të duhej t’i dhuronte agresorit madje më shumë territore nga sa ai i ka marrë me dhunë. Vetoja mbi hyrjen në NATO, për më tepër mbi marrëveshjet e dyanëshme të mbrojtjes, si ajo të ofruara nga Amerika dhe disa kombe evropianë, është parahyrja për mësymje të reja. Bilanci i lartë i jetëve të flijuara për t’u mbrojtur nga mësymja ruse do të kishte qënë e kotë.

Kush vetëquhet paqësor, e prej dy vjetësh kërkon një “zgjidhje diplomatike”, do të duhej të hapte sytë: ky është Putini. Jo prej sot. Janë treguese fletët e botuara nga New York Times mbi negociatat e shkurtit dhe marsit të vitit 2022, në muajt e parë të luftës. Që atëherë Putini, përveç cungimeve territoriale, kërkonte një Ukrainë vartëse e Rusisë, pa asnjë mundësi marrëveshjesh sigurie me Vende të tjera. Kush ka kaluar këto vite duke n’a qortuar “neve” – Zelenskin, Biden-in, Bashkimin Evropian – se nuk kemi vënë theksin mbi diplomacinë, le t’a shohë të vërtetën në sy: Putini don dorëzimin si parakusht për pushtime të mëtejshme; dhe respekton vetëm raportin e forcave.

Sot mund të ngrerë akoma më lart mëtimet e tij sepse ndihet i sigurtë në vetvete. Në frontin ushtarak Perëndimi ka grumbulluar vonesa, ndrojtje të pafund; i ka vënë armëve që i jepte Kievit shtrëngesa përdorimi, të tilla sa që i dhuroheshin dobi të stërmëdha rusëve.

Perëndimi është i frikësuar edhe në përdorimin e sanksioneve. Çështja e pasurive ruse të ngrira në bankat evropiane është dëshpëruese. Dy vjet e katër muaj ploje mbi truallin evropian nuk janë të mjaftueshëm për të shpronësuar pasuritë ruse, për t’i derdhur si dëmshpërblim popullit ukrainas. G7 nuk e ka fshirë këtë turp. Pasuritë mbeten të ngrira por gjithmonë në pronësi ruse. Vetëm një pjesë e interesit që ato prodhojnë, përdoret për të siguruar një borxh për Ukrainën. Një borxh, jo një dëmshpërblim. Ligjësimi i kaq shumë poshtërsie? Shpronësimi i pasurive ruse do të vinte në mëdyshje respektimin nga ana e evropianëve të Shtetit të së drejtës, pra të shënjtërisë së pasurisë. Evropianët – në këtë rast Amerika kërkonte një vijë të ashpër – kanë zgjedhur burracakërinë, duke vënë të drejtën e pronësisë së Putinit mbi të drejtën e jetës, të lirisë, e të sovranitetit të popullit ukrainas.

G7 ka bërë ndonjë hap përpara – me fjalë – mbi ndihmën kineze Putinit. Komunikatë përfundimtare padit që “mbështetja e vazhdueshme e Kinës industrisë ushtarake ruse, mundëson vazhdimin e luftës së paligjëshme kundër Ukrainës dhe ka pasoja të gjëra mbi sigurinë”. Jo vetëm sigurisë ukrainase por të gjithë Evropës, duke parë orekset perandorake të Putinit. Kjo frazë e G7 është vetëdijesimi i një gjëndjeje që vazhdon nga shkurti 2022. Xi Jinping i ka premtuar “miqësi të pakufishme” Putinit dhe e ka mbajtur fjalën. Armata e mësymjes ruse nuk do të kishte mundur kurrë të ngrinte fatet e saj në terren, pa mbështetjen masive, ekonomike, financiare, teknologjike të Pekinit. Shpejtësia me të cilën Putini ka shndërruar Vendin e tij në një ekonomi lufte është e lidhur me valën e furnizimeve nga Republika Popullore. Kush miklohej se Xi do të donte të bënte ndërmjetësin e paqës, nuk ka kuptuar asgjë: udhëheqësi komunist ka rrezikuar duke vënë bast për Putinin, vetëm për të shpejtuar rënien e Perëndimit.

G7 ka filluar të rishpërcaktojë rolin e Kinës: ka përmendur 28 herë në komunikatën përfundimtare, pothuaj gjithmonë si një fuqi e rrezikshme, protagoniste veprimesh armiqësore si sulmet e vazhdueshme cybernetike kundër nesh. Takimi i nivelit të lartë të Puglias kërkoi sanksione të zgjeruara kundër ndërmarrjeve kineze. Nuk është e thënë që të pasojnë veprime të përshtatëshme. Republika popullore në tridhjet vite globalizimi është bërë e domosdoshme për ekonomitë tona. Taksat që Washingtoni e Brukseli kanë vënë së fundi kundër automobilëve elektrikë të saj janë një kundërveprim ndaj faktit që çkarbonizimi i ynë është peng i made in China. Prandaj Xi është i sigurtë se del pa u lagur, duke vazhduar të mbajë këmbët në dy botë: i mësyn tregjet tona me eksportet e tij, ndërsa ndërton një globalizim të ri kinoqëndror me Rusinë, Iranin e shumë Vende në zhvillim të Jugut të Madh Global. Qëndrimi i këtyre të fundit në takimin e Zvicrës nuk lë miklime. Arabia Saudite, Brazili e të tjerë kanë abstenuar mbi përfundimet. Kanë qortuar mungesën e Rusisë e të Kinës si një faj të organizatorëve. Zemra e tyre rreh nga ajo anë, dhe për një “asnjanësi” që nuk e kanë përqafuar mbi Gazën.

Mbas Putinit i vetmi fitues i vërtetë është Xi: merr më të mirën nga dy botë e tani për tani paguan çmime të ulta, taksa e qortime perëndimorë janë pak më shumë se thumbime gjëlpëre me kokë (mjaft të shihet boomi i eksportimeve kineze në veprim). Në kohë afat-mesme e afat-gjata Republika Popullore mund të paguajë çmime më të rënda, vetëm nëse Perëndimi ndjek me këmbëngulje dy strategji paralele: reindustrializim për të fituar autonomi dhe zhvendosje valësh ekonomike drejt Vendeve jo antagoniste si Hindia, Vietnami, Meksika. Tani për tani këto harta të reja të globalizimit janë një synim i largët; nuk shkundin siguritë e boshtit kundër-perëndimor që përtej Kinës, Rusisë, Iranit ka shumë dashamirës.

“Corriere della Sera”, 16 qershor 2024

Përktheu Eugjen Merlika

Latest articles

Related articles