Historia e bujkut të Devollit që u shua në fushën e mbjellë…

Nga Andrea Danglli

Kam dëgjuar se dëshira e fundit e shumë artistëve është të ndërrojnë jetë në skenë kur vdekja afrohet për t’i marrë në udhëtimin e saj të gjatë.

Edhe Arti ishte një artist i punës, ku toka qe skena më e madhe mbi të cilën jeta e vendosi për të luajtur deri në frymën e fundit.

62-vjeçari u shemb dje mbi plisat që kishte thërrmuar me duart plot kallo e të çara, të shndërruara në harta.

Ai dha shpirt në vendin ku kishte shpirtin, ku nga sot s’do ndjejë më erën e grurit, s’do ta shohë skuqjen e mollëve, rritjen e qepëve dhe as do të marrë dot lëmoshat e uruara të vjeshtës që janë shpërblimi më i madh për kryeveprën e punës së tij që nisi qysh në fillim të pranverës.

Dje ai luajti shfaqjen e fundit, ku si shpërblim mori disa radhë në një lajm të shkurtër që i njoftoi vdekjen.

Kaq vlente jeta e tij dhe e çdo bujku tjetër në një Shqipëri ku më i ndërruar je të përflitesh si fermer kanabisi, sesa të vazhdosh traditën e mbijetesës, sfilitjes dhe skllavërisë.

E këtu nuk po flas për bujq të spoteve kryeministrore që shfaqen pas kamerave plot xixa, por për këta të padukshmit si Arti të cilët vjeshtë e dimër presin të dëgjojnë borinë e ndonjë makine tregtari që mbërrin në fshatin e tyre.

E këtu nuk po flas për bujq që shfaqen krah ministrash të cilët thurin masterplane, bëjnë zotime, ngrenë premtime, duke i trajtuar fermerët si kavie eksperimentesh.

Arti u shtri në arkëmort i djersitur, mbase s’do t’i thahet djersa deri sa të dëgjojë borinë e famshme të tregtarit të parë që do mbërrijë në fshat.

Në të kundërt, edhe malli i tij, do groposet si vitet e tjera bashkë me të.

Por ndoshta tregëtari do të vijë për të blerë të korrurat e tij, ndoshta!

Latest articles

Related articles