Nevoja për Qendrën e Djathtë në vend

nga Altin Gjeta

Më shumë së tre dekada pas rënies së regjimit komunist, Shqipëria i ngjan një avioni i cili më në fund ka dalë në pistë pas izolimit gjysëm shekullor në burgun e tmerrshëm të Enver Hoxhës, por nuk po arrin të bëjë shkëputjen e shumëpritur për tu ngjitur në qiell. Kjo do të përbënte një hap domethënës për vendin, duke e nxjerrë nga faza e një shteti pa orientim strategjik, dhe transformuar në një shtet të zhvilluar, antar të Bashkimit Europian dhe të gatshëm për të përballuar sfidat aktuale dhe dekadave të ardhshme.

Rreziku i ngecjes në pistë, dhe më keq akoma, parkimi i mundshëm i Shqipërisë në rradhën e vendeve autoritare, ku ka gjysëm liri ose pak liri është bërë edhe më akut në një kohë kur partia në pushtet ka krijuar një hegjemoni politike dhe ekonomike afatgjatë. Pavarësisht progresit të institucioneve të drejtësisë në luftën kundër korrupsionit në nivele të larta të qeverisjes dhe politikës, drejtësia nuk është alternativë politike, por një mekanizëm kontrolli ndaj pushtetit.

Për më tepër, gjasat që pushteti të rigjenerojë vetëveten në vende me traditë demokratike të brishtë si Shqipëria janë më të mëdha. Lufta ndaj regjimeve gjysëm demokratike është bërë më e vështirë pasi forcat opozitare dhe shoqëria në tërësi ecën në një teh të hollë iluziv ku mund të kritikojë, protestojë apo marrë pjesë në zgjedhje, por e ka pothuajse të pamundur të prodhojë ndryshim.

Koha kur Roberto Mugabe i Zimbabveve eliminonte kundershtarët politik dhe manipulonte trashë zgjedhjet ka marrë fund. Sot, kontrolli i burimeve shtetërore, narrativës politike nëpërmjet mediave dhe rrjeteve sociale, dhe ndryshimet në kodin zgjedhor e kthejnë përpjekjen për ndryshim të modelit politik dhe ekonomik në një luftë sizifiane. Lëvizjet demografike në Shqipëri, ‘liria’ për të emigruar, dhe rënia e numrit të të rinjve si pasojë e lindjeve të ulta dhe emigracionit ka shpërbyer si një valvul shkarkimi e tensioneve të mundshme politike si pasojë e modelit ekonomik statist ku ata që kanë pushtet pasurohen jo nëpërmjet sipërmarrjes së lirë, por aksesit në buxhetin e shtetit.

Kjo trase drejt një pushteti autoritar po ngjeshet gjithnjë e më shumë nga shpartallimi organizativ dhe ideologjik i opozitës parlamentare shqiptare. Ajo është kthyer praktikisht në një organizëm autoimun i cili shkatërron vetëveten. Lufta civile për pushtet e ka dërrmuar PD, duke minuar totalisht besimin e publikut se ajo mund të rigjejë rrugën e rikthimin në pushtet. E drejtuar nga të njëjtët njerëz prej tre dekadash, gjuha që flet, imazhi që transmeton sot dhe mendësia me të cilën opozita parlamentare bën politike nuk i thotë asgjë sfidave dhe cinizmit publik me të cilat përballet Shqipëria.

Lidershipi me retorikë sterile, pa ide alternative dhe racionale, tregon se PD-të në masë të madhe e kanë humbur orientimin ideologjik. Mbështetja bujare që të djathtët i kanë dhënë PD gjatë këtyre dekadave është hedhur në det nga njerëz që pushtetin e shikojnë si dëshirë dhe mjet, por jo si projekt politik transformues. Për më tepër, ajo është larguar nga idetë e qendrës së djathtë, të cilët sillen rreth shtetit ligjorë, respektimin të institucioneve demokratike, prudencës, përgjegjësisë fiskale, kompetencës në qeverisje dhe mbështetjes së sipërmarrjes së lirë.

Garendja për të ruajtur copën e vogël të tortës së pushtetit duket se e ka detyruar një pjesë të njerëzve të opozitës parlametare të gjejnë strehë tek politika identitare. Përqafimi i rrymave populiste evropiane apo amerikane në një vend si Shqipëria që nuk ndan as problemet dhe as sfidat apo histori politike të ngjashme, po e zhvendos një pjesë të mirë të PD në ekstremin e të djathtës ku nuk ka vend për shtresën e mesme të moderuar e cila kërkon liri individuale, konsensus në qendër dhe përmbatje në ushtrimin e pushtetit. Ndërsa ajo pjesë që mëton të ruajë një profil liberal per se ka pësuar hemoragji në njerëz dhe seriozitet.

Partia Konservatore në Britani ka qeverisur më gjatë se çdo parti tjetër politike në botë falë reformimit të vazhdueshëm dhe ndryshimit (ka ndërruar të paktën 7 liderë në 3 dekada). PD nuk ka treguar as forcë as guxim për tu reformuar. Ajo ka humbur dhe atë nukël liberale e cila ndihmoj rikthimin e saj në pushtet në vitin 2005 dhe ndërmori disa reforma të guximshme që prodhuan zhvillim ekonomik dhe integrimin në NATO. Krahu liberal për shembull ka qenë forcë udhëheqëse në Partinë Konservatore britanike (fraksioni One Nation) apo në CDU gjermane qysh prej mbarimit të luftës së dytë botërore.

Boshllëku politik që po krijon tërheqja e një pjesë të rëndësishme të PD nga politika në qendër dhe e djathta e moderuar, si dhe fryrja e borive të ‘luftës kulturore’ e cila është çështje e pak njerëzve në Tiranë, mund të nxisë të paktën dy reagime centrifugale.

Së pari, zhvendosja djathtas në ekstrem do të jetë kundërproduktive nga pikëpamja elektorale. Zhurma e ‘luftës kulturore’ me teori konspirative dhe ofrimi i zgjidhjeve të lehta për probleme komplekse mund të jetë emocionuese në rrjetet sociale, por do të rezultojë katastrofike në kutitë e votimit. Njerëzit përballen me sfida të përditshme në jetën e tyre, si hemoragjia demografike në veri dhe jug të vendit, ngushtimi i hapësirave të lirisë, rrënimi i ekonomisë familjare dhe biznesit nga taksat e larta dhe tarifat e tërthorta, si dhe me korrupsionin endemik dhe shkatërrimi i ekosistemit natyror i cili do të rrisë koston e jetesës dhe shëndetit në vitet e ardhshme.

Së dyti, populizmi është një strategji hilacake që synon rezultate të momentit, pa marrë në konsideratë se është e paqëndrueshme dhe kundërproduktive në afatgjatë. Qendra e djathtë është shquar gjithnjë për vizion dhe politika aftatgjata, pragmatizëm dhe përgjegjshmëri. Lëvizjet e reja politike në Shqipëri janë në mënyrë dominante gjenerim i ideve të majta të cilat premtojnë rishpërndarje po akumuluar pasuri. Rrëshqitja e një pjese të konsiderueshme të opozitës në ekstrem, lufta vëllavrasëse mes palëve se kush është opozita e ‘vërtetë’ po krijon një boshllëk ideologjik dhe politik i cili po mbushet nga e majta dhe politika identitare e një tjetër lloji.

Ndërsa qendra e majtë dhe konsensusi në qendër për interesin publik dhe kombëtar është një dialektikë normale në shoqëritë demokratike, ngjizja e ideve radikale të majta nuk ofron zgjidhje afatgjatë për një vend si Shqipëria e cila ka nevojë dëshpëruese për të nxitur sipërmarrjen e lirë dhe inovacionin. Historia jo e largët e Shqipërisë enversite dhe bllokut komunist të Evropës Lindore ka demostruar se shpërndarja e tortës pa e zmadhuar është rishpërndarje e varfërisë.

Ndërkohë, fshehja pas apo krijimi i hapësirës fertile për mbirjen e politikës identitare rrezikon të hedhë në erë harmoninë sociale në Shqipëri. Mungesa e një platforme politike të reformuar, të përgjegjëshme, racionale dhe pragmatiste të mishëruara tek qendra e djathtë po ngjall aspirta për forca politike me karakter dhe agjenda fetare në vend.

Mjafton një vëzhgim sipërfaqësor i komunikimit publik dhe rrjeteve sociale për të kuptuar se ka një shtrat të tillë shoqëror i cili është i gatshëm të përqafojë një politikë me ngjyrime fetare dhe populiste. Ecja në këtë drejtim do të ishte vrapim drejt humnerës, pasi shteti dhe kombi shqiptar i përbërë nga të paktën tre nënshtresa tradicionale religjoze ka vendosur kombin si busull të orientimit të vet strategjik.

Në këtë kontekst, është domosdoshmëri artikulimi i ideve të qendrës së djathtë rreth ndryshimit, kompetencës, konsensusit në qendër, moderimit dhe politikave ekonomike të cilat gjenerojnë rritje ekonomike dhe vendosjen e Shqipërisë në shina demokratike. Operacionalizimi i tyre do të marrë kohë dhe shumë energji, por do të jetë vendimtare për shkëputjen e Shqipërisë nga këneta post-komuniste.

Latest articles

Related articles