Strategjitë anti-korrupsion: Lokomotivë apo vagon i fundit?

Nga Zef Preçi


Perpara se te jete gjithcka tjeter, nder dhjetra percaktime te korrupsionit, njeri mbetet i qendrueshem: korrupsioni eshte derivat i ushtrimit te pushtetit, dmth vendim-marrje publike ne interes te pasurimit personal te zyrtarit a politikanit vendim-marres te radhes. Po keshtu, perseri i lidhur me pushtetin, korrupsioni eshte aksesi ne vendim-marrje, trajtuar me profesionalizem nga Irena Beqiraj ne nje nga esse-te e saj te kendshme. Nese ne te paren futeshin format “tradicionale” te abuzimit me pushtetin, dmth pasurimi i paligjshem per shkak te abuzimit me fondet buxhetore, emerimeve nepotike ne administraten publike dhe leshimin e licensave per shfrytezimin e pasurive kombetare, tek e dyta shfaqet sofistikimi i ketyre formave, dmth mveshja e tyre me tautologjine e “interesit publik”, te “politikave zhvillimore”, “integrimit Europian te vendit”, etj. E perbashketa e tyre eshte perdorimi ne rritje i vendim-marrjes kolegjiale te qeverise si korace celiku per perfituesit e dukshem dhe te padukshem te akteve korruptive te pushtetit, apo me keq akoma shnderrimi i Kuvendit, ketij “altari te Kombit” nga vendi i debatit ne emer dhe per llogari te qytetareve ne njelloj zyre noteriale te paudhesive te ekzekutivit qe kulmon me “ligjet e porositura”, apo historia ne zhvillim e siper e tenderimeve shteterore sipas modelit “5D” te Bashkise se Tiranes…
E tash vijme te “komisioni i komisioneve” te reformes ne drejtesi i miratuar me rezolute nga Kuvendi i Shqiperise nje jave me pare dhe te pajtimi i nje firme te madhe amerikane “per te hartuar strategjine e luftes kunder korrupsionit”, per te cilen sipas shtypit, vendosi qeveria ne mbledhjen e saj te fundit.
Reformat jane nje proces normal ne vendet demokratike dhe eshte detyre e perfaqesuesve te zgjedhur nga sovrani qe te inicojne reforma, ashtu sikurse detyra primare e tyre eshte te mbikqyrin ekzekutivin dhe jo te behen mburoje ndaj ndeshkimit te zyrtareve dhe poltikaneve te tij abuzante me pushtetin. Ekzekutivi apo qeveria, me shume se nismetare e reformave, sic e thote edhe vete emri “ekzekutivi”, eshte pergjegjese per zbatimin e reformave te ndermarra ne Kuvendi. E kjo vlen edhe per strategjite anti-korrupsion, te cilat per ironi te fatit, kane qene gjithnje nje hap mbas korrupsionit, ose thene ndryshe, sa me shume shtohen parate e buxhetit te shtetit dhe te institucioneve nderkombetare per te luftuar korrupsionin, aq me shpejt rritet edhe korrupsioni dhe barra e kostos se tij per shoqerine e sotme shqiptare. E kjo e fundit reagon, forma me e larte e reagimit qytetar eshte largimi i detyruar nga vendi i rreth 1 milione shqiptareve, nje fakt i dhimbshem qe nuk pranon ta konfirmoje as INSTAT edhe pse vonesa prej gati nje viti e nxjerrjes se te dhenave te censusit te fundit ka hedhur ne ere edhe besueshmerine e ketij institucioni.
Kur flasim per strategjite anti-korrupsion nuk duhet te harrojme matricen anti-korrupsion te vitit 1999 dhe reformat e lidhura me te ne sherbimin civil, reformat e vitit 2007, te vitit 2015 dhe sigurisht mungesen e dukshem te rezultateve ne zbatimin e ketyre strategjive, per te mos folur pastaj per perfshirjen kompanive te huaja ne kete proces, duke filluar me kompanine e znj. Blair, institutit te Harward-it, kompanise se Sakashkvil-it te Gjeorgjise, Macgonigal-it te mirenjohur tashme, deri edhe te Boston Consulting Globe qe pritet ne kontraktohet ne javet ne vijim. E kur flasim per mungesen e rezultateve fjala eshte per votuesit, taksa-paguesit apo qytetaret shqiptare, sepse te sipercituarit dhe te tjere te panjohur si ata jane paguar mbi dhe nen dore, aq sa ne disa raste nuk dallojme dot sherbimin per te cilin jane kontraktuar nga lobimi i mirefillte per interesa personale e politike, ne kete rast i paguar me parate e buxhetit te shtetit shqiptar.
Ndoshta ka ardhur koha qe ndihmesa e “projekteve” te tilla per hartim strategjish anti-korrupion te tilla per t’ju mbyllur gojen oponenteve politike, mediatike dhe publike te qeverise duke shtuar keshtu tymnajen ne opinionin publik vendas e nderkombetar rreth nivelit te vertete te korrupsionit ne Shqiperi, perndryshe per ta manipuluar ate me emra te medhenj kompanish nderkombetare, emra politikanesh te huaj te shnderruar ne biznesmene e lobiste pa u licensuar si te tille dhe me kosto te medha per buxhetin e varfer te shqiptareve, apo me logo shtetesh mike dhe aleate te Shqiperise, te shkojne per te permiresuar qeverisjen e vendit, per te rritur besueshmerine e institucioneve publike te tij, per te forcuar infrastrukturen fizike e njerezore te SPAK-ut dhe drejtesise ne teresi, pra per te zbatuar ato strategji qe kane filluar te japin frute per qytetaret dhe ndeshkim per abuzantet me detyrat shtetetore, por edhe po kontribuojne ne rritjen graduale te besimit publik ndaj shtetit te enderruar te se drejtes.
Dmth me shume se per strategji te reja te kushtueshme dhe shurdhuese qe me sa duket vetem se rritin dozen e “Shqiperise virtuale” te qeverise dhe asaj pjese te medias qe ushqehet nga buxheti, licensat dhe pasurite shteterore, vendi ka nevoje per te zbatuar strategjite e miratuara me heret, me shprese se kjo eshte rruga per t‘ju afruar keshtu hap mbas hapi “Shqiperise reale”, Shqiperise se atyre qytetareve qe detyrohen ta braktisin vendin per nje jetese dinjtoze dhe demokratike diku ne Perendim, gjithsesi larg saj… Ne kete menyre, edhe strategjite anti-korrupsion nuk do te “plaken” pa u zbatuar, apo me keq akoma nuk do te “lindin te vdekura”, thjesht si klientet e radhes te pushtetit ne Shqiperi.

Latest articles

Related articles