Sondazhet e shokëve të Johnit! – REDAKSIONALE

Media pranë qeverisë publikojnë, apo citojnë një sondazh të një instituti amerikan sipas të cilit Edi Rama rezulton politikani më popullor në Shqipëri. Pas tij vjen Erion Veliaj. Më pas Agron Shehaj dhe Gazment Bardhi.

Imagjinoni sa votues personal ka Gaz Bardhi!?

Sondazhet nuk janë shkencë ekzakte që të tregojnë të vërtetën faktike. Maksimumi mund të masin trende dhe të përcaktojnë strategji për të maksimizuar apo minimizuar një dëshirë.

Është e qartë që sondazhet për politikanët shqiptarë duhen marrë me rezerva sidomos për politikanët që qeverisin qeverinë e bashkinë për 3 mandate.

Sondazhet mund të tregojnë pëlqyeshmëri por jo votshmëri sepse e kemi parë këtë film edhe në zgjedhje të mëparshme, ku politikanë dalin lart me sondazhe fiktive, ndërsa realiteti është krejt ndryshe.

Një gjë është të jesh i pëlqyeshëm dhe një gjë të jesh i votueshëm. Njerëzit mund të pëlqejnë Arlin Qorrin dhe nuk e votojnë në zgjedhje sepse zgjidhja e tij është anakronike, neokomuniste dhe dëmshme. Njerëzit mund të pëlqejnë Endri Shabanin për përgatitjen intelektuale dhe qëndrimet publike, por e kanë të vështirë ta votojnë sepse mendojnë se nuk është gati apo vota e tyre mund të shkojë dëm. E njëjta gjë me Adriatik Lapajn apo të tjerë që janë të pëlqyeshëm por tek dita e votës gjërat ndryshojnë sepse ka ligjësi të tjera…

E para është ligjësia e Partisë. Pa lidership. Pa kandidatë PD zyrtare mori 104 mijë vota, nga 1.600.000 totali i votave në 2021, del se ka 6 -8 % pa bërë fushatë dhe pa votat personale të liderit; me lidership Berisha-Meta Foltorja mori 250 mijë vota, pra 14-16 % pa bërë fushatë.

Pra, liderët e formacioneve klasike nisen në avantazh në krahasim me individët apo partitë e reja. Janë gjëra racionale.

Latest articles

Related articles