Frutat e shtrenjta, Pilku: Mungojnë politikat mbështetëse, 60 milionë euro i çojmë për import

Eksperti i bujqësisë, Ilir Pilku shpjegon arsyet se pse disa nga frutat importohen nga Greqia, edhe pse shprehet se shteti fqinj është vendi me standardet më të mira që furnizon tregun, pavarësisht çmimit.

Duke folur për MCN Live për çmimin e lartë të frutave të stinës, ai tha se tani jemi në sezonin e frutikulturës dhe qershia është kaq shtrenjtë, për arsye se ne nuk e kemi vendosur theksin në mbështetjen e politikave tona bujqësore të frutikulturës.

Përveç qershisë, kemi dhe nektarinën. Por të gjitha këto i kemi import nga Greqia.

A i kemi kushtet për ta kultivuar këtë lloj fruti? I kemi po aq të mirë sa të grekut.

Por politikat mbështetëse në subvencione, me 60 euro për një hektarë për naftë, është e pamjaftueshme për fermerët.

Se janë disa produkte që janë delikate. Qershia është fruti më delikat.

Që këto kultura të lulëzojnë kërkon investim në ujitje, në rrjetat anti-breshër, se për tre ditë kalbëzohet.

Këto nuk i kemi, IPARD e kemi të mbyllur, nga buxheti i shtetit nuk kemi.

Ne nuk po i drejtojmë fondet e ndërkombëtarëve, në ato prioritetet e duhura që ne kemi në bujqësi.

Në vend t’i drejtojmë donatorët ku kemi prioritetet tona, ne i lëmë të livadhisin aty ku e kanë më kollaj.

Ne jemi midis 20-25 mijë ton qershi, të cilat totalisht janë për konsum të brendshëm dhe mbulojmë jo më shumë se 50-60% të kërkesës së konsumatorëve.

Është një produkt që kërkohet për ekport kryesisht në vendet arabe me një çmim ekstremisht të lartë.

Kur tek ne arrin 50 lekë kilogrami, në vendet arabe është 8 euro.

Mbi 100 mijë tona importohen në vit nga vendi ynë, ose rreth 60 milionë euro ne i çojmë jashtë për importe, vetëm të kategorisë fruta, të cilat i importojmë.

Ne kemi limonin që është importi, qershi që është importi. Kemi kajsinë, pjeshkën, mollën e importit.

Ne e prodhojmë qershinë në atë kohë kur nuk i duhet tregut, kur konsumatori nuk e tërheq produktin.

Ne nuk jemi vizionar për ta drejtuar bujqësinë aty ku duhet.

Latest articles

Related articles