Sulmi ndaj SPAK vazhdon! – Av. Besart Logu

Gjatë raportimit në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve, Prokurori i Përgjithshëm shtroi nevojën e rritjes së kompetenca si dhe evidentoi faktin se sistemi i vlerësimit të prokurorëve ka dështuar. Këto reflektime i bëri pas pyetjeve të Damian Gjiknurit, i cili është subjekt hetimi nga SPAK. Akoma më keq, edhe nga pyetjet e deputetëve të opozitës pjesë të Rithemelimit.

Kujtojmë këtu se Gazment Bardhi e ka atakuar Olsian Çelën, pra Prokurorin e Përgjithshëm, si të favorizuar nga Rama për këtë post pasi ai shmangu nga përgjegjësia penale Olsi Ramën në çështjen “Xibraka”.

Kujtojmë gjithashtu se, në kuadër të reformës në drejtësi, Prokurorit të Përgjithshëm iu hoqën shumë kompetenca duke ia kaluar ato një organi kolegjial, KLP. Kjo me qëllim shmangien e kapjes së organit të akuzës nga politika. Pavarësi e cila u mundësua nëse kujtojmë episodin e përplasjes Rama-Kim kur u zgjodh kreu i SPAK Altin Dumani.

Në mënyrë të përmbledhur, PS-Rithemelim duan të fuqizojnë sërish Prokurorin e Përgjithshëm. Kërkojnë rikthimin e sistemit të centralizuar ku Prokurori i Përgjithshëm vlerëson punën e prokurorëve, merr masa ndaj tyre, i emëron dhe transferon, ndërhyn gjatë hetimit, transferon dosjen në një prokuror tjetër, e shumë kompetenca të tilla që zhbëjnë rolin e KLP me qëllimin final kapjen e SPAK.

Komisioni i Ligjeve është kuzhina ku po gatuhet gjella prej të cilës do të vjellin të gjithë zellmëdhenjtë e minimit të reformës në drejtësi.

Latest articles

Related articles