“Klasa të mbetura bosh”, Alfrida Marku: Rreth 4600 nxënës më pak është bilanci i qeverisë në Lezhë

Sekretarja për pushtetin vendor dhe decentralizimin në PD, Alfrida Marku, në një postim në Facebook, shprehet se rreth 4600 nxënës më pak ulen në bankat e shkollave të Lezhës. Marku thotë se për shkak të rënies së numrit të nxënësve, 14 shkolla fillore janë mbyllur gjatë 5 viteve të fundit, në zonat rurale të këtij qarku.
Kryetarja e degës së PD, Lezhë më tej shprehet se sipas të dhënave ende jo zyrtare të Censusit të fundit, në Lezhë banojnë jo më shumë se 35-40 % e popullsisë dhe këto sipas saj janë bilencet e qeverisjes së Edi Ramës.

Postimi i plotë i Sekretares për pushtetin vendor dhe kryetarja e degës së PD, Lezhë, Alfrida Marku:

Propagandës së Kryeministrit me emigrantët, duke shpërdoruar taksat tona e keqpërdorur administratën, i jep përgjigje realiteti në Lezhë e kudo në vendin tonë: klasa të mbetura bosh, pa nxënës, e shkolla të mbyllura, për shkak të emigrimit masiv të shqiptarëve.
Afërsisht 4600 nxënës më pak që ulen në bankat e shkollave të Lezhës, është bilanci nga dita e parë e qeverisjes e deri më sot. 2000 nxënës më pak vetëm në 5 vitet e fundit.
Për shkak të rënies së numrit të nxënësve, 14 shkolla fillore janë mbyllur gjatë 5 viteve të fundit, në zonat rurale të Lezhës, përfshirë këtu edhe shkollën fillore ku ndodhemi në fshatin Balldren. Në 15 shkolla të tjera, po në zonat rurale, mësimi zhvillohet në klasa të përziera.
E ndërkohë, sipas të dhënave ende jo zyrtare të Censusit të fundit, në Lezhë banojnë jo më shumë se 35-40 % e popullsisë.
Nëse duam të dimë se si një qeverisje është për qytetarët e saj, mjafton të shohim sa prej tyre largohen apo kthehen nga apo në vendin e tyre. Mjafton të shohim politikat për fëmijët, mbrojtjen, zhvillimin, arsimimin e fëmijëve dhe të të rinjve !
Pasi ka drejtuar për më shumë se një dekadë qeverisjen më të korruptuar në 34 vite, duke detyruar shqiptarët të largohen, Kryeministri, në vitin e fundit të qeverisjes, nuk ka më kohë të flasë për punë apo projekte, por duhet të japë llogari e mbajë përgjegjësi para shqiptarëve.

Latest articles

Related articles