A do të hetojë SPAK shpenzimet e mitingut të Ramës në Athinë dhe shpërnguljen e administratës për një tubim partiak?

Mjafton të shohësh fotot e mitingut të Edi Ramës në Athinë për të kuptuar se e gjithë administrata e shtetit, drejtuesit kryesorë të saj, kryetarët e bashkive të vendit së bashku me punonjësit e tyre, ishin ngritur nga të katër cepat e vendit për të mbushur stadiumin e takimit në vendin fqinj. Mjafton të shohësh fotot e kryetarit të Bashkisë së Elbasanit, të Librazhdit, të Kolonjës etj. drejtues vendor për të ngritur pyetjen: për sa i duhej Edi Ramës ky show i sotëm?! Afrim Krasniqi, politolog i njohur dhe drejtues i Institutit të Studimeve Politike, nëpërmjet një reagimi në platformën X ngriti me të drejtë disa shqetësime: “Mitin & shw të PS në Athinë për “rienergjizim të partisë”. Fjalime& hartime&muzikë&foto&flamuj. Në 60 min fjalim të KM asnjë fjalë për votën e diasporës. Do ndahen 200 tesera partie. Kaq. Sipas ligjit, në pritje që PS të deklarojë në KQZ kostot financiare të aktivitetit”, shkroi Krasniqi në X. A ka Partia Socialiste një kosto të aktivitetit të sotëm partiak në Athinë? Sa është kosto e Air ALBANIA që udhëtoi Edi Rama me një shpurë të madhe gazetarësh dhe njerëzish të tjerë, që i kishte marrë me vete për të mbuluar takimin e sotëm? A do t’i deklarojë PS-së kostot e djeshme në KQZ sipas ligjit të partive politike në vend? A do të hetojë SPAK shpenzimet marramendëse të mitingut të Edi Ramës në Athinë dhe shpërnguljen e administratës për një tubim partiak? Të gjitha këto pyetje kërkojnë përgjigje dhe kur dehja e tubimit të sotëm të ketë dalë, Edi Rama dhe organizatorët e tubimit të sotëm duhet të përgjigjen, sepse, përtej retorikës dhe propagandës, në fund ajo që ngelet është ligji dhe e vërteta. Shqiptarët janë të ngopur me propagandë, ndaj ata janë më të etur se kurrë për drejtësi.

Latest articles

Related articles