Rama në panik nga braktisja e diasporës, fton në Athinë anëtarësinë dhe administratën nga Shqipëria

Nga Fatmir Gjoci, kreu i PD dega Greqi

Edi Rama të dielën më 12 maj do të jetë në Athinë ku do të bëj një tubim. E nisi lehtë duke menduar që do të gjente solidaritetin e shqiptarëve të Diasporës, por duke kuptuar që ajo që priste nuk do të realizohej kaloi nga skenari “A” në skenarin “B” të ftesës, ose më saktë urdhrit të administratës në Shqipëri për të mbushur hapësirën ku do të mbahet takimi.
Siç e dimë tashmë, Edi Rama është njeriu fasadë, personi që i pëlqen show dhe këtë e përdor mëse miri edhe në politik, ai e njeh shumë mirë këtë zanat, si askush tjetër në botë. Ka ngritur të gjitha strukturat organizative të Partisë Socialiste brenda dhe jashtë vendit, por jo vetëm, të gjithë administratën e pushtetit lokal dhe atë qendror, për të realizuar takimin e nesërm në Athinë të datës 12 maj.
Informacione të sakta më vijnë nga bashkatdhetarë, se janë telefonuar nga shefa e qeverisë, në nivelet më të larta të drejtimit lokal dhe qendror si; kryetarë të bashkive, drejtorë të dikastereve të ndryshme, ministra, zv/ministra, deputetë. Të gjendur në panik nga mospjesëmarrja e duhur nesër, i madh dhe i vogël është ngritur në këmbë për organizimin e këtij takimi, duke rrugëtuar nga Shqipëria drejt Athinës. (sigurisht rrugëtimi i siguruar me para të pista dhe korruptive të taksave të shqiptarëve).
Të vish në Athinë në takim me emigrantët pas 11 vitesh kryeministër në detyrë dhe sillesh si lider opozite kjo është absurde. Kujtojmë që Edi Rama nuk ka mbajtur as dhe një premtim të dhënë që nga 2013-ta lidhur me emigrantët dhe diasporën ndaj takime të tilla nuk i shërbejnë as shqiptarëve që punojnë e jetojnë në Greqi, por as vet atyre në Shqipëri kur nuk kanë produkt politik ndaj shoqërisë, por përdoren për interesa politike të momentit. E kur bëhet fjalë për interesin e kryeministrit dhe për të rritur profilin e tij politik, ai dhe taborri i tij janë gati të përdorin emigrantët mish për top, duke e nisur këtë tur nga Athina dhe vijuar më tej në shtete të tjera.
Duke përdorur makinacione me terma patriotik, Rama kërkon të bëj jehonë në rang ndërkombëtar, ku orkestron shumë mirë zhurmat për t’i kthyer ata në melodi provokuese dhe të paqena.
Zoti kryeministër! Pa dashur të zgjatem, po të drejtohem me disa pyetje, por që nënkuptohen në një të vetme.
Ku janë premtimet që keni dhënë në 2013-ën për diasporën? Na thoni një prej premtimeve të realizuara?
Zoti Kryeministër! Çfarë ke bërë që në kuadër të marrëdhënieve të mira fqinjësore si politikan modern dhe me lidhje ndërkombëtare që e mban veten, në kuadër të integrimit? Shqiptarëve nuk iu njihen pensionet, nënshtetësia, po përballen me vështirësi për marrjen e lejeve të qëndrimit, përballen me radhët në dogana dhe ambasadë, dhe a do të iu njihen të gjithëve patentat?
Zoti kryeministër! Pse vjen të takosh emigrantët në një kohë që nuk ju ke mundësuar atë më minimalen, të drejtën e votës?!
Zoti kryeministër! Çfarë ju bën shqiptarëve, ku aq shumë i mashtron, aq më shumë të “besojnë”?
Kryetari i PD dega Greqi, Fatmir Gjoçi

Latest articles

Related articles