Për Antonetën, Reformën dhe luftën për Drejtësi

nga Fatjona Mejdini

Pesë vite më parë, ndihmova dy gazetarë të mediave të rëndësishme perëndimore (mes dhjetëra të tjerëve) të pasqyronin një proces të rëndësishëm që kishte nisur në Shqipëri, siç ishte “vettigu” dhe Reforma në Drejtësi. Një nga të intervistuarat prej tyre ishte dhe Antoneta Sevdari, prokurorja e cila konsiderohej një “yll në ngritje” në sistem, por që papritur ishte shkarkuar nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit. Shkarkimi i saj kishte krijuar habi mes kolegëve të saj, por dhe asaj pjese të vogël të publikut që ishin në dijeni të rasteve që ajo kishte hetuar dhe kurajës profesionale që kishte treguar. Teksa po përgatitej për të festuar mes kolegësh zgjedhjen e saj si anëtare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ajo ishte njoftuar për shkarkimin dhe si rrjedhojë, përfundimin e karrierës së saj në drejtësi.

Intervista që ndërmjetësova me Antonetën në atë kohë nuk ishte e lehtë. Antoneta ishte në gjendje të rënduar emocionale, por gjithsesi pranoi të fliste për gazetarët e huaj. Për orë të tëra, përpara një mali me dokumente, nuk u lodh t’iu shpjegonte atyre se si shkarkimi ishte i padrejtë dhe kishte ardhur për shkak se disa vite përpara se të martohej, bashkëshorti i saj ishte punësuar nga një kompani në Arabinë Saudite, që nuk kishte paguar sigurimet për të.

Por një tjetër zhgënjim pasoi. Në asnjë prej të dy artikujve të publikuar në mediat prestigjoze ndërkombëtare, nuk u pasqyrua intervista me të, me argumentin e thjeshtë se:”e saja ishte një çështje e komplikuar për tu kuptuar nga një audiencë ndërkombëtare dhe kishte qenë më e lehtë thjeshtë ta linin jashtë”.

E mirëprita dhe mirëkuptova zhgënjimin e shprehur të Antonetës pas kësaj situate, e vetëdijshme që kisha dhe unë pjesën time të “fajit” duke i ndërmjetësuar një zhgënjim të radhës. Urova vetëm që ajo të mos dekurajohej dhe të vijonte të luftonte për të gjetur të drejtën e saj.

Në fakt Antoneta vijoi të luftoj edhe pse nuk kishte në krahë opinionin e gjerë publik, nuk kishte as mediat ndërkombëtare, nuk kishte as precedent që ta ndihmonin, kishte me vete vetëm të drejtën! Por ndonjëherë, ashtu si nëpër filma, e drejta të lodh, të sfidon, por mjafton dhe në fund triumfon.

Kur e pashë dje në shkallët e Kolegjit të Apelimit të lumtur dhe të emocionuar, u ndjeva krenare për të, por edhe e frymëzuar. Ajo është shembull i një gruaje të brishtë dhe emocionale në dukje, por ama shumë e fortë, që nuk dekurajohet dhe i shkon deri në fund të drejtës të saj dhe të të tjerëve.

I uroj shumë suksese dhe kontribute në shërbim të drejtësisë shqiptare!

Latest articles

Related articles