3 rekomandime leximi nga shkrimtari Virion Graçi

Në fillim do t’u rekomandoja lexuesve të rilexonin libra që në adoleshencën e tyre, në rininë e hershme ju kanë lënë mbresa të forta; kjo është mënyra më e lehtë që ata të vërejnë sa janë rritur si njerëz të kulturës duke provuar kthim në moshë, kthim në atë periudhë të leximit të parë; me siguri çdo faqe libri dhe e çdo episod do t’i çojë në mënyrë imagjinare në vendet dhe gjendjet kur është kryer leximi i parë; në këtë mënyrë njeriu, të paktën nga përvoja ime, i shkon tej e mbanë qenies së tij, çmallet me veten e dikurshme, dlirësohet.

Nga Virion Graçi

Për të vazhduar në mënyrë të veçantë, meqë duhen tituj librash të paktën për të ilustruar idetë e mia të tashme për lexim/shkrimin artistik, do të veçoja si më poshtë:

(I)“Ungjilli sipas Jezusit”, i Joze Saramago. Është roman historik sa çështë dhe ese filozofike e mirargumentuar, me prova e kundërprova, me perifrazime nga shkrimet parakristiane, nga doktrina e krishterë dhe nga trashëgimia laike, nga mendimtarët e mëhershëm antikë deri te shekujt e fundit; është kritikë racionale dhe fiksion, njëkohësisht, është satirë e rreptë por dhe poemë në prozë, elegji për njeriun, për njerëzit e vuajtur, të sakrifikuar. Në fund të fundit, është tablo e gjerë epike, me karaktere, me ndodhi tërheqëse të jetës fshatarake të asaj periudhe dhe të sekteve të ndryshme. Roman për njerëzit e zakonshëm, për ideologjitë si stimuj shpirtërorë dhe për marrëdhëniet/përdorimet/(keq)trajtimet e tyre prej pushtetit zyrtar-administrativ. Njerëzit dhe besimet e tyre afirmohen dhe lëkunden deri në tokë nën ironinë e pakompromis të autorit-rrëfimtar. Është shembull i shkëlqyer si mund ta shohim të shkuarën pa rënë në mitologji, si mund të besojmë pa rënë në fanatizëm, si mund të madhërohemi pa i zvogëluar të tjerët. Të njëjtat merita artistike, intelektuale e humane i njoh dhe romanit ‘Judas” të Amos Oz i cili objektin historik e ka nga i njëjti qark me “Ungjilli sipas Jezusit”, vetëm se  kritikën, qasjen racionale ndaj religjoneve Ozi e maskon tërësisht si punë e pavarur e një shkollari eksentrik të kohës sonë.

(II) Romani “Varrë” i Eqrem Bashës – edhe këtë libër dëshiroj ta përmend si model rrëfimi,  për ‘sakrifikimin’ e biografisë vetjake në të mirë të një mozaiku të gjerë social-etnik. Lënda jetësore e përfaqësuar në disa dhjetëra mini-tregime, sikur të ishte shkruar sipas poetikës së realizmit klasik, do të ishte një roman-lumë, një vepër e vëllimshme. E. Basha, duke proceduar si romancier modern ka mund ta koncentrojë disa breza histori në një libër pak-faqësh; konciziteti, lakonizmi, historia e nënkuptuar, simbolika dhe detaji e maksimalizojnë rrëfimin, e bëjnë përfshirës, nënvizues e provokues e, mbi të gjitha, ngacmojnë fort kujtesën e lexuesit duke ju zgjuar asosacione të ngjashme kujtimesh, dokesh, dramash e tragjedish. Monument kujtese etnike dhe model shkrimor autentik, për mendimin tim.

(III) Lindita Ahmeti, “NGA MËSHTEKNAJA E BABAIT-me mallëngjim”, poezi. Në mendjen time ka qenë përherë jo vetëm portreti ëngjëllor-fëminor i Linditës, por edhe poezia e saj; falë poezisë ajo u mbijetoi fatkeqësive të ndryshme, u kristalizua si personalitet letrar, si zë origjinal me spektër të gjerë meditativ, lirik e filozofik. Poezia e saj në vetvete, pa pasur nevojë për jetëshkrimin e autores, lexohet si bibël vetjake, plot ndjeshmëri, parabola, figuracion, ligjërim të rrjedhshëm ku shpirti i ndjeshëm dhe botëkuptimi i pasur, vizionar dialogojnë në sintoni të natyrshme. Nuk e kam homazh për ikjen e saj të parakohshme, e kam bindje të hershme që më vjen vetëm prej cilësive që bart vargu i saj, poezia e saj, trashëgimia e saj krijuese. Dhe te, “NGA MËSHTEKNAJA E BABAIT-me mallëngjim” kemi një kulm të poezisë shqipe. Si të tillë e veçoj për lexime e rilexime këtë libër të Lindita Ahmetit.

Latest articles

Related articles