Strasburgu ndëshkon sërish. Gjykatat shqiptare shkelën të drejtat e njeriut

Një tjetër vendim i Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut penalizon Shqipërinë duke vënë në dukje se sistemi i drejtësisë çalon sa u takon të drejtave themelore të njeriut.

Strasburgu vendosi këtë javë me shumicë votash se Shqipëria ka shkelur të drejtën e qasjes në drejtësi, marrjen e drejtësisë në një afat të arsyeshëm kohor dhe shkelje të rënda të së drejtës private.

Gjykata mori në shqyrtim aplikimin e një qytetari shqiptar, që pasi konsumoi të gjitha shkallët e drejtësisë në vend, nuk gjeti drejtësi në lidhje me dhunën e ushtruar ndaj djalit të tij në vitin 2011 nga një tjetër i mitur. Për shkak të dhunës, djali i tij humbi shikimin në njërin sy.

Kërkuesi pretendoi se shkolla nuk mori të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar dëmtimin e djalit të tij, duke kërkuar dëmshpërblim. Në vitin 2013, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë rrëzoi kërkesën për dëmshpërblim, me arsyetimin se dëmi ishte shkaktuar nga një palë e tretë dhe jo nga shkolla.

Më pas kërkuesi depozitoi dy ankesa në Gjykatën e Apelit të Tiranës dhe në Gjykatën e Lartë, të cilat të dyja u rrëzuan. Gjykata e Lartë vendosi se nuk mund të ndërhynte në vendimin e Gjykatës së Apelit sepse nuk gjeti shkelje materiale dhe proceduriale në zbatimin e ligjit.

Çështja përfundoi në Gjykatën Kushtetuese, por kjo e fundit e refuzoi me arsyetimin se ishte depozituar jashtë afateve kohore. Gjykata e Strasburgut vëren në vendimin e saj se vlerësimi i gjykatave shqiptare, në të gjitha shkallët është i habuar dhe në shkelje të rëndë të artikujve 8 dhe 6 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut

Latest articles

Related articles