“Gjyqtarja nuk u dëbua, por nuk e lanë të hyjë në Greqi” – Gazetari shpjegon vendimin e gjykatës greke

Gazetari Artan Hoxha ka shpjeguar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, të dhënat e publikuara në shtypin grek, për gjyqtaren Irena Gjoka, e cila me sa duket ka qenë e ndaluar të hyjë në Greqi.

Hoxha tha se gjyqtarja nuk ka qenë e dëbuar por i është ndaluar hyrja, ndaj ky fakt duhet verifikuar për të vendosur nëse ajo mund të vijojë detyrën.

“Në vendimin e gjykatës greke, që është dhënë nga Gjykata e Athinës në vitin 2004, gjykata ka miratuar vendimin që është marrë nga oficeri i kufirit në Kakavijë. Në datën 24 dhjetor 2002, gjatë Krishtlindjeve, gjyqtarja, zonja Irena Gjoka sëbashku me familjarët e saj, ka tentuar të hyjë në Greqi nëpërmjet vizës konsullore. Gjyqtarja ka tentuar të hyjë nga Kakavija, polici ka dyshuar që viza është e falsifikuar. Pastaj ka tentuar të hyjë për herë të dytë dhe i është bërë e qartë, i është dhënë penalitet të mos hyjë në Greqi për dhjetë vite.

Gjykata e ka lënë në fuqi dhe e ka vlerësuar vendimin të drejtë, e ka penguar zonjën Gjoka që të mos shkelë në territorin e Greqisë. Kjo histori kur doli herën e parë, mediat tona pyetën në kufi dhe thanë është manipulim sepse nuk kanë vendim.

Tani e paskan gjetur vendimin. Grekët kanë gjetur që gjyqtarja ka qenë e martuar dy herë. Pse grekët thonë se është ngatërruar kjo gjë? Ka qenë me mbiemrin Shpata pastaj Maneku dhe tani ka mbiemrin Gjoka. Media greke nuk po e lidhte dot a është i njëjti person. Në vendimin e gjykatës greke, është thënë se u është lënë autoriteteve në kufi, që kjo qytetare nuk mund të hyjë në Greqi dhe aty janë lënë edhe gjurmët e gishtave.

Kjo dëshmon se gjyqtarja e ka fshehur këtë. Kjo gjyqtare ka marrë vendim ndaj Belerit dhe Berishës.

Vijmë te pjesa e dytë, unë mendoj se në formularin që ka patur gjyqtarja ka patur detyrim të deklarojë cdo lloj penalizimi në të kaluarën. Dashamir Tahiri e humbi mandatin për një kundravajtje. Këtu u tha se zonja Gjoka është dëbuar, por ajo në fakt nuk është lënë të hyjë në brendësi të tërritorit grek. Në të dyja rastet, i është thënë se viza është e falsifikuar. Ajo nuk ka hyrë në territorin grek, pra është penguar në pikën e kalimit kufitar. Nuk e di a është e përfshirë, por jemi para faktit që duhet të verifikohet”, tha Hoxha

Latest articles

Related articles