Kundërzbulimi polak çmonton “miza” përgjuese në zyrën e mbledhjes së ministrave

Shërbimet speciale në Poloni kanë zbuluar dhe hequr pajisje përgjimi në një dhomë ku do të mblidheshin ministrat e kabinetit. Takimi javor i kabinetit zakonisht zhvillohet në zyrën e kryeministrit në Varshavë.


  • Por seanca e së martës u zhvendos në qytetin jugor të Katowice sepse disa ministra, përfshirë kryeministrin Donald Tusk, do të merrnin pjesë në një konferencë të madhe ekonomike atje.

Polonia ka parë aktivitet të shtuar spiunazhi që kur u bë një qendër ndërkombëtare për ndihmën ushtarake dhe humanitare për Ukrainën pas pushtimit të Rusisë në vitin 2022.

“Shërbimi Shtetëror i Mbrojtjes, në bashkëpunim me Agjencinë e Sigurisë së Brendshme, zbuloi dhe çmontoi pajisje që mund të përdoreshin për përgjim,” shkroi zëdhënësi i shërbimeve të sigurisë Jacek Dobrzynski në X. “Shërbimet po kryejnë aktivitete të mëtejshme në këtë çështje.”

Dobrzynski i tha transmetuesit TVN24 se pajisjet u gjetën gjatë një pastrimi rutinë të sigurisë në dhomë. Agjencia e Sigurisë së Brendshme të Polonisë tani po heton se cilat ishin pajisjet dhe kush mund t’i kishte instaluar ato.

Pas kontrollit të sigurisë, mbledhja e kabinetit vazhdoi në ndërtesë siç ishte planifikuar.

Një zëdhënëse e autoriteteve rajonale të Silesisë, Alicja Waliszewska, i tha agjencisë shtetërore të lajmeve PAP se pajisja mund të ketë qenë pjesë e sistemit të vjetër të komunikimit të dhomës që nuk ishte më funksional.

Zbulimi vjen pas lajmit të së hënës se një gjykatës polak po kërkon azil në Bjellorusinë fqinje.

Latest articles

Related articles