Shkrimtari Aliçka: U njoha me gruan në një mbrëmje të fshehtë, na kapi Sigurimi

Ylljet Aliçka, ish-ambasador i Shqipërisë në Francë, romancier e skenarist, ka rrëfyer në emisionin “Interview” në Euronews Albania momentin e njohjes me bashkëshorten e tij.

Aliçka tha se është njohur me bashkëshorten në një nga mbrëmjet e fshehta që zhvilloheshin në kohën e diktaturës në Tiranë, ku dëgjohej muzikë e huaj dhe konsumohej alkool.

Ai tha se atë natë mbrëmja e fshehtë u zbulua, pasi të pranishmit atje u kapën nga Sigurimi i Shtetit, moment që për të ka qenë shumë i frikshëm.

“Në vitet e fundit, në vitin e 9-të, kam qenë ende mësues fshati. E kam pasur edhe si shoqe shkolle, kemi qenë pak a shumë një moshë. Familja e gruas time bënin mbrëmje te bodrumet e Shallvareve. E kam njohur tamam tamam te një nga ato mbrëmjet e fshehta, u bë shumë problem ajo mbrëmje sepse na kapi edhe Sigurimi i Shtetit te ajo mbrëmje.

Se ishin edhe fëmijët e këtyre anëtarëve të Bllokut. Shumë pak veta ishim ne që nuk kishim prindër të Bllokut dhe më kapi frika. Mbrëmje Rock & Roll. Në Tiranë ka pasur një që quhej kulturë undergrond, që i kundërvihej standarteve ideologjike të kohës.

Ndërkohë lexohej shumë, bëheshin mbrëmje të fshehta, ilegale, me konjak, ponç, cigare dhe shumë muzikë në sfond. Kemi qenë rreth 45 veta në atë mbrëmje”, tha Aliçka.

Latest articles

Related articles