Prokuroria për ngjarjen në Shkodër. Si nëna mbyti fëmijët dhe pastaj veten në lumë

Prokuroria e Shkodrës ka sqaruar ngjarjen që ka tronditur Shqipërinë. Prokuroria njofton se nëna me iniciale A. A., pasditen e datës 2 maj ka pirë një kafe me kunatën dhe me 3 fëmijët e saj.

Më pas, ajo është larguar me fëmijët duke i thënë kunatës se do shkonte një javë te shtëpia e vëllait që të qetësohej dhe se ky i fundit po shkonte t’i merrte me taksi.

Nga pamjet filmike prokuroria ka evidentuar se shtetasja A.A., bashkë me tre fëmijët, ka ecur në trotuarin e rrugës që të çon te “Ura e Bunës” së vjetër, në drejtim të “Kishës së Zojës”.

Nëna, në gjendje të rënduar psikologjike, dyshohet se ka hedhur fëmijët dhe më pas është vetëhedhur në lumin Buna.

Prokuroria thekson se janë krijuar dyshime të arsyeshme se bashkëshorti si rrjedhojë e dhunës psikologjike të vazhdueshme ndaj bashkëshortes së tij, shfaqur në formën e ofendimeve të vazhdueshme dhe tradhtisë bashkëshortore, duke prekur rëndë dinjitetin e saj, ka shkaktuar vetëvrasjen e gruas dhe 3 fëmijëve.

Latest articles

Related articles