Mesazhet e mashtruesit Florian Gjergji “Jam Taulant Balla, dua 100 mijë….”

Një biznesmen nga Librazhdi ka denoncuar në polici se është mashtruar nga një person që pretendonte se ishte ministri i Brendshëm Taulant Balla, që i mori 100 mijë Euro.

Sipas dosjes që disponon redaksia, biznesmeni Flamur Rrushi. ishte kontaktuar në Viber nga një numër që mbante identitetin Taulant Balla.

Biznesmeni thotë se ky person i ka dërguar mesazh duke i thëne “jam në një dreke”, “ma mbaron një porosi”, “do kalojë një miku im andej jepja 100 mijë Euro dhe rregullohemi”.

Biznesmeni i ka kthyer mesazh duke i thëne “Ok”, “të flasi me mua”. Kontakti “Taulant Balla”, i ka kthyer duke i thënë “ok po telefonon pas pak”.

Takimi u organizua në mbrëmje të asaj dite në periferi të Tiranës. Biznesmeni u njoftua se paratë do t’i dorëzonte tek një makinë, që rezultoi të ishte një taksi. Sipas denoncimit të biznesmenit, brenda mjetit ndodhej vetëm shoferi dhe nuk doli fare nga makina. Sipërmarrësi F.Rr. i dorëzoi 100 mijë Eurot që i kishte futur në një kuti kartoni dhe këtë të fundit në një qese të bardhë.

Por kur e kuptoi biznesmeni se ishte mashtruar? Ai ka thënë në polici se Taulant Ballën e ka mik familjar, por i kishte numër tjetër kontakti. Me ndihmën e një të afërmi konfirmoi se numri që i shkruante në Viber dhe i kërkoi paratë, nuk i përkiste ministrit Balla. Në këtë momenti ai kuptoi se kishte rënë pre e mashtrimit.

Policia nisi verifikimet dhe rezultoi se numri që i kishte shkruar ishte në emër të dy përdoruesve, një djali dhe një vajze.

Grupi hetimor, që i tregoi biznesmenit dy fotografitë e personave, evidentoi Kristjano Përndojin si shtetasin që ishte brenda makinës kur mori 100 mijë Eurot.

Ky i fundit u arrestua më datë 3 Maj në orën 14:00 në Lezhë. Gjithashtu nga kontrolli në banesën e të atit të tij, u gjetën 6 fishekë dhe 1 thikë.

Por Prokuroria e Elbasanit që heton cështjen, thotë se proces-verbali i OPGJ-së për kontrollin në banesën e të arrestuarit paraqet të dhëna pjesërisht jo të sakta. Sipas Prokurorisë, Kristjan Përndoji nuk është pyetur në praninë e avokatit si person ndaj të cilit po zhvillohen hetime, si dhe nuk i është bërë me dije nga policia që ka të drejtë të mos flasë apo të mos japë detaje inkriminuese për veten. Për këtë arsye, thotë Prokuroria, ky akt është i pavlefshëm. Po kështu, edhe arrestimi në flagrancë i të dyshuarit është bërë në kundërshtim me ligjin. Kjo pasi Kristjan Përndoji nuk është kapur në flagrancë në kryerje e sipër të veprës penale, por është arrestuar më vonë.

Për këtë arsye, Prokuroria e Elbasanit urdhëroi lirimin e menjëhershëm të tij.

Latest articles

Related articles