Një leksion nga Gjeorgjia për ne në Ballkan

nga Sebastian Zonja

Në Gjeorgji ka disa javë që protestohet kundër një projektligji që është i ngjashëm me nenin 55 që kemi pasur në Shqipëri gjatë diktaturës. Liria e medias dhe e kritikës ndaj qeverisë kufizohet me këtë ligj dhe, sipas analizave për projektligjin, hapi i radhës është kthimi i opozitës si kozmetikë e pushtetit, ngjashëm me Kremlinin. Kundër kësaj, përnatë, mijëra gjeorgjianë dalin në protesta.
Më herët, në vitin 2008, gjeorgjianët kërkuan ndihmë nga Amerika dhe Evropa për të përballuar rusët në luftën e vitit 2008. Amerikanët dhe evropianët bënë sikur. Premtime dhe llafe dhe asgjë tjetër. Rusët hynë me ushtri dhe morën Osetinë dhe Abkazinë. Presidenti gjeorgjian i kohës, Mikail Sakashvili, duke e njohur mirë fuqinë e Kremlinit tha se pa armatim unë nuk e fus popullin tim në luftë. I la t’i merrnin ato territore. Pas disa kohësh i gjetën një preteks këta perëndimorët dhe e futën në burg për korrupsion. Më gjenialja është kur e akuzuan se kishte sulmuar rusët, jo rusët këtë.
Ndërkohë, po në atë rajon, nuk kaluan 5 vjet, me të njëjtën skemë agjenturore, rusët çuan vëmendjen te Krimea. E morën edhe atë. Administrata amerikane e Barak Obamës nuk reagoi. As evropianët. Hapën ca bisedime që i quajtën “Minsk 1 dhe 2”, por donin të ruanin veten më shumë se të vendosnin parametra të sigurisë kontinentale.
Sot, kur i shohim ngjarjet më ftohtë sepse kanë kaluar vite, disa e quajnë veprim të guximshëm atë që bëri Sakashvili ngaqë nuk e çoi vendin në luftë. Sërish, edhe pse rusët e morën çfarë deshën, sot po avancojnë për ta kthyer Gjeorgjinë në satelit të vetin. Gjeorgjianët nëpër rrugë po thonë: “dikur ishim bashkë nën Bashkimin Sovjetik, tani nuk duam. Duam të shkojmë në Evropë dhe të zhvillohemi edhe ne si Polonia dhe Çekia.”.
Edhe ukrainasit thanë të njëjtën gjë me protestat e tyre. Si Ukraina, edhe Gjeorgjia u pushtuan. Apologjetë të fuqisë ka shumë, por të lirisë s’po gjejmë.
I kuptoj analistët e mëdhenj nga Tirana e Prishtina që e shohin të largët luftën në Ukrainë e Gjeorgji. Sakaq, logjika e tyre më ngjall neveri, sepse i japin të drejtë shovinizmit serb në Ballkan. Meqë ai në kufi është më i fortë, duhet të bëjmë si thotë ai, përndryshe rrezikojmë shumë. Kësisoj, me këtë logjikë mjerane, Skocia s’do kish fituar kurrë përball Britanikëve dhe Adem Jashari ka luftuar kot për lirinë e mendimit dhe veprimit të këtij tabori banal.

Latest articles

Related articles