SPAK gjurmon financimet e fushatave të Berishës

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK) ka ushtruar kontroll pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për financime nga fonde jo publike për Partinë Demokratike, referuar viteve 2009, 2011 dhe 2013, në kohën kur ky subjekt politik drejtohej nga ish-kryeministri, Sali Berisha.

Burime nga SPAK i thanë gazetarit Reldar Dedaj, se me datë 24 prill, 2024, prokurorët Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai, pas studimit të dosjes hetimore në ngarkim të shtetasve Sali Berisha dhe Jamarbër Malltezi është konstatuar se dy shoqëri përkatësisht Connext sh.p.k dhe Redcloud sh.p.k kanë ofruar shërbime për Partinë Demokratike në vitet 2009, 2011 dhe 2013, në periudha fushatash zgjedhore.

Në vijim të këtij hetimi, dy hetues të OPGJ-së, përkatësisht Besmir Karaxha dhe Ritano Nano kanë mësyer në ambientet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për të kontrolluar të gjitha dokumentet që mund të evidentojnë financime nga fonde jo publike për Partinë Demokratike; si donacione, financime që dyshohen nga kompani ruse, para të pista, por edhe shpenzime të raportuara, auditime, raporte financiare apo çdo akt tjetër financiar, referuar viteve 2009, 2011 dhe 2013.

Sali Berisha është në hetim për veprën penale të korrupsionit së bashku me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, i cili akuzohet nga SPAK se ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.

Si Berisha ashtu edhe Malltezi i kanë kundërshtuar akuzat dhe e kanë cilësuar hetimin si të orkestruar nga kryeministri Edi Rama.

Prokuroria e Posaçme e Shqipërisë kërkoi arrest shtëpiak për Berishën, duke thënë se ai e kishte shpërfillur vendimin e prokurorëve për të raportuar në SPAK çdo dy javë dhe për të mos u larguar nga vendi, derisa po hetohej për korrupsion në lidhje me privatizimin e ish-klubit sportiv “Partizani”.

Kërkesa për zëvendësimin e masës së arrestit u bë pasi Berisha refuzoi të zbatonte masat e mëparshme të detyrimit për paraqitje dhe ndalimit të daljes jashtë shtetit, duke i konsideruar ato si antikushtetuese. Kodi i Procedurës Penale parashikon ashpërsimin e masës në raste të tilla.

Gjatë një jave, seanca për shqyrtimin e kërkesës së SPAK për ashpërsimin e masës së sigurisë ndaj Berishës u shty disa herë. Kërkesa e SPAK mbërriti në gjykatë të shtunën e kaluar, pas marrjes në Kuvend të autorizimit për heqjen e imunitetit të Berishës më 18 dhjetor, por seanca e të martës u shty pasi përfaqësuesit ligjorë të ish-kryeministrit, avokatët Genc Gjokutaj dhe Sokol Mëngjesi, kërkuan më shumë kohë për t’u njohur me provat shoqëruese.

Po ashtu, avokatët e Berishës kërkuan disa herë përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka, me argumentin se ish-kryeministri Berisha ka qenë kryetar i ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë në vitin 1996, kur sipas tij është marrë vendim për shkarkimin e gjyqtares Gjoka. Kërkesat u rrëzuan në vazhdimësi nga gjykata.

Berisha shërbeu si kryeministër i Shqipërisë nga viti 2005 deri më 2013, si dhe si president nga viti 1992 deri në vitin 1997.

Shtetet e Bashkuara në maj 2021 dhe Britania e Madhe në korrik 2022 ia ndaluan Berishës dhe familjarëve të tij të afër të udhëtojnë në këto dy vende, për shkak të dyshimeve të përfshirjes së tij në korrupsion.

Latest articles

Related articles