“Gërdec”, SHBA letërporosi në GJKKO, ofron agjentët e FBI-së për marrjen në pyetje të 5 dëshmitarëve

spot_img
Advertisements

TIRANE- Në seancën e radhës në procesin gjyqësor ndaj ish ministrit të mbrojtjes Fatmir Mediu i akuzuar për shpërdorim detyre lidhur me masakrën e Gërdecit, avokatët kundërshtuan dy ekspertizat të paraqitura nga SPAK një seancë më parë.

Për ekspertizën e shkaqeve të shpërthimit të bërë nga ekspertët amerikanë dhe ekspertizën ushtarake, mbrojtja e Mediut deklaroi se ish ministri i mbrojtjes, nuk ka lidhje me asnjërën nga provat e paraqitura nga SPAK, ndërsa do të kërkojnë riekspertim për shkaqet e zjarrit.

“Kërkuam riekspertim për shkakun e shpërthimit në Gërdec, është interes i shqiptarëve të marrin vesh pse ka ndodhur ngjarja në Gërdec. Ekspertët amerikanë dhe prokuroria kanë thënë që shkaqet janë të pamjaftueshme” tha Mediu.

Avokati Henrik Ligori tha në seancë se ekspertët amerikanë e kanë lënë të hapur shkakun e shpërthimit, duke paraqitur 5 hipoteza të mundshme pse ka ndodhur ngjarja. Sipas tij, mund të merret parasysh edhe një shkak i gjashtë, që mund të jete ngjarje e qëllimshme, e cila nuk është hetuar. Për këtë arsye, avokati kërkoi gjithashtu të pyeten ekspertët për ta përcaktuar të saktë se çfarë ka ndodhur.

Kjo kërkesë u kundërshtua nga prokurori i çështjes Klodian Braho, i cili tha se është e panevojshme kryerja e një eksperimenti. Të njëjtin argumentin parashtroi edhe avokati i viktimave Dorjan Matlia. Sipas këtij te fundit, nuk ka rëndësi se kush e vuri shkrepësen dhe se si ndodhi, por se si ishin kushtet që ndodhi ajo tragjedi.

Sa i takon kërkesës, gjyqtarja Irena Gjoka tha se do shprehet në fund të procesit. Ndërkohë gjykata relatoi se nga ministria e Drejtësisë kishte ardhur përgjigja në lidhje me pyetjen e dëshmitarëve të kerkuara nga SPAK, që janë përfaqësues të kompanisë SAC në Amerikë.

Në letërporosi shkruhej se ata nuk kanë mundësi që pyetja e tyre të behet në një seancë gjyqësore, pasi shteti amerikan nuk e ka një praktike të tillë, por mund të pyeten nëse bie dakord pala shqiptare, nga agjentet e FBI.

Në lidhje me këtë përgjigje edhe prokurorët por edhe avokatët e Mediut thanë se do të shprehen në seancën e radhës, e cila u caktua më datë 2 maj ora 10.00. Mediu dhe pala e familjarëve kërkon që pyetja e 5 amerikanëve të bëhet me video konferencë.

Latest articles

Related articles