Skandal në shkollën e Magjistraturës, prishet pajisja e vlerësimit! Nga 79 fitues dalin 121 emra

Shpërthen skandali me Shkollën e Magjistraturës.

Dje u mbajt testi për pranimet e reja, por mësohet se ka pasur shumë probleme. Pajisja që merret me korrigjimin e testeve (scan tron) nuk ka punuar duke ngritur dyshime për manipulim. Për këtë arsye studentët sot kanë nisur një peticion për anulimin e testimit. Ata i janë drejtuar kreut të Shkollës së Magjistraturës, Arben Rakipi.

Mësohet se sot është njoftuar se do të bëhet rishikimi i testimeve, por po zhvillohet me dyer të mbyllura duke rritur dyshimet se kemi të bëjmë sërish me manipulim. Skandali tjetër është se kandidatëve fitues u janë shtuar nga 4-5 pikë dhe po ashtu janë shtuar 42 emra te lista fituese. Ka rezultuar se 79 emra kanë marrë 63 deri në 86 pikë. Por, 24 orë më vonë kur është shpallur lista zyrtare ka rezultuar se nuk ishin më 79 fitues, por 121. Sipas studentëve po shkelet rëndë parimi i transparencës.

Provimi i pranimit për vitin akademik 2024-2025, do nxjerrë 20 gjyqtarë dhe 25 prokurorë, sipas njoftimit të Shkollës së Magjistraturës në faqen e saj- https://www.magjistratura.edu.al/sq/lista-e-konkurrenteve-me-numrat-e-scantronit-per-provimin-e-pranimit-viti-2024-2025. Kandidatë janë 442.

Provimi organizohet me shkrim në dy faza. Faza e parë u zhvillua dje datë 22 prill 2024, ora 8.00-13.00 tek Pallati i Kongreseve në Tiranë. Faza e dytë, zhvillohet në datë 24 dhe 25 prill 2024, ora 8.00-13.00 tek “Tirana Olimpik Park” ku ndodhet FSHF., tek Salla e lojërave me dorë “Feti Borova”, në vendin ku zhvillohen aktivitete dhe ndeshje sportive basketbolli apo volejbolli.

Nuk dihet ende se çfarë do të ndodhë me fazën e dytë, pasi është konfirmuar se po bëhet gjithçka që në drejtësi të futen djemtë dhe vajzat të mamuthëve të drejtësi dhe atyre të politikës.

Latest articles

Related articles