Në një raport të publikuar këtë të hënë, Departamentit amerikan i Shtetit fajëson politikën për pavarësinë e gjyqësorit.
DASH thotë se gjyqësori është penguar nga presioni politik, frikësimi, korrupsioni dhe burimet e kufizuara.
“Megjithëse kushtetuta parashikon një gjyqësor të pavarur, presioni politik, frikësimi, korrupsioni dhe burimet e kufizuara e penguan gjyqësorin të funksiononte plotësisht, në mënyrë të pavarur dhe efikase”, thuhet në raport.
Mëgjithatë, DASH evidenton se sistemi gjyqësor po bëhet më i pavarur falë procesit të vetingut dhe veprimeve të SPAK-ut. Pavarësisht kësaj, në raport vihet në dukje se qytetarët janë ankuar për mungesë transparence në hetime, zvarritje të konsiderueshme të proceseve dhe vendime të padrejta gjyqësore.
Departamenti i Shtetit thotë se megjithëse kushtetuta dhe ligji parashikojnë të drejtën për një gjykim të drejtë dhe publik, dhe se gjyqësori në përgjithësi e zbatoi këtë të drejtë.
“Komiteti Shqiptar i Helsinkit vuri në dukje se çështjet e prapambetura të grumbulluara, vendet vakante në gjyqësor dhe mungesa sistematike e efikasitetit, minuan besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë”, thuhet në raport.
Shumica e ankesave nga qytetarët kishte të bënte me mungesën e përgjigjes nga organet qeveritare ndaj shqetësimeve të tyre, shkeljet e procesit të rregullt ligjor, gjykimet dhe dënimet e padrejta.