Prokuroria e Tiranës ka kërkuar arrestimin e 3 ish-zyrtarëve të komunës Bërxullë, Ymer Marku, Kujtim Balliun, Agim Locin, si edhe shtetasin Kujtim Allmeta, të akuzuar për përfitimin e 7500 metra katrorë tokë nëpërmjet falsifikimit të dokumentave.
Kjo sipërfaqe toke, pasi është përfituar në mënyrë të paligjshme dhe nga Prokuroria e Tiranës është kërkuar sekuestrimit i saj, i është shitur shoqërisë “Alko Impex Construsion” shpk në vlerën 10.000.000 lekë të reja.
Kjo kompani, rezulton të jetë nën pronësinë e nipit të ish deputetit socialist Sadri Abazi.
“Nga hetimi rezultoi se plani i rivelimit për pasurinë me sip 7.500 m2 shkoi në favor të shtetasit Kujtim Allmeta (nënshkruar/firmosur) nga Kryeplaku i Fshatit Bërxullë shtetasi Agim Loci dhe Kryetari i Komunës Ymer Marku, në një kohë kur tokat në kodër Bërxullë kanë qënë toka të Bashkisë Vorë dhe në vitin 1998 kanë kaluar në administrim të ish-Komunës Bërxull”, informon Prokuroria.
Sipas hetimeve të Prokurorisë, Ymer Marku, i cili ka mbajtur postin e kryetarit të Komunës Bërxullë nga viti 2004 – Gusht deri në vitin 2015, në shkresën e datës 13 korrik 2005, ka dërguar për verifikim në Këshillin e Qarkut Tiranë, dokumentacionin për shtetasit A.A., P.A. dhe Sh.A.
Në cilësinë e Kryetarit të Komunës Bërxullë së bashku me kryeplakun e fshatit Agim Loci kanë nënshkruar në plan rilevimin për pasuritë e këtyre shtetasve.