Kush vjen nga fiqtë, për fiq do të shkojë…

nga Albi Xhunga

‘’Kur dynden vikingët’’ titullohet një roman brilant i një prej ikonave të rezistencës anti-komuniste dhe të së djathtës shqiptare, Pjetër Arbnorit. Bëhej fjalë për nazistët që pushtuan Gjermaninë, para se të pushtonin pothuaj të gjithë Europën, një paralele brilante me dyndjen komuniste që bashkë me gjysmën e kontinentit gllabëroi edhe Shqipërinë, sepse regjimet totalitare edhe pse të ndryshme në doktrinë, janë të ngjashme si dy pika uji në makabritetet që sjellin.

Nuk mjaftoi flama komuniste për këtë popull të vuajtur. Duheshin edhe të babëziturit. Ndonëse të gjitha qeveritë e tranzicionit kanë qenë pak a shumë të korruptuara, asgjë nuk mund të krahasohet me dyndjen rilindase, as në shumat e vjedhura e as në pasojat katastrofike që kjo ka sjellë. Mjafton braktisja e Shqipërisë nga mbi një million shqiptarë për të konstatuar se asnjë pushtues nuk i ka shkaktuar Shqipërisë një gjëmë kaq të madhe. Në një botë ideale, të korruptuarit e mëdhenj të tranzicionit shqiptar nuk do duhet të akuzoheshin vetëm për korrupsion. Do të duhet të akuzoheshin për korrupsion me pasojë genocidin. Sepse pasoja finale e korrupsionit nga të babëziturit është një Shqipëri ku për dikë që jeton me punë të ndershme është e pamundur të jetojë me dinjitet. Pasoja finale është shpopullimi. Ky është genocid.

Lali Eri si ikonë e sistemit

Askush nuk e përfaqëson dot më mirë sistemin rilindës se Lali Eri. Arrogant me vartësit, bythëlëpirës me shefin, korruptues mediash dhe kërcënues kur paraja nuk bën punë, Lali Eri ka vetëm një stil të të bërit politikë; korruptohu dhe korrupto.

Dasmë në kështjellë me kursimet e mamit pensioniste, kur dihet se një pensionist në Shqipërië rilindase duhet të kullosë nëpër kazane plehrash nëse nuk ndihmohet nga fëmijët. Bombardo Tiranën me kulla dhe shfaqu nëpër ekrane duke mbjellë pemë. Zhduku nga debatet televizive dhe shfaqu me një buzëqeshje të shtirë nëpër kronika lajmesh (të gatshme natyrisht), sepse nëpër kronika nuk ka pyetje.

Mega-operacion censure

Janë nënshtruar deri në poshtërim pothuaj të gjitha televizionet kryesore në Shqipëri. SPAK zbulon se një organizatë kriminale ka pushtuar bashkinë e kryeqytetit duke vjedhur miliona euro, arreston të gjithë drejtorët kryesorë, zbardh komunikimet në një aplikacion të krijuar enkas nga organizata kriminale, zbardh skemat e mashtrimit, ku hajdutët nuk kënaqeshin më me përqindje, por kishin krijuar kompani me presta nome që t’i përfitonin direkt në xhepat e tyre partë e taksapaguesve, që pastaj t’i investonin duke përfituar edhe nga ligjet sur mesure, për t’u trajtuar si investitorë specialë për të përfituar zero taksim për 10 vite. Mirpo shumica e televizioneve kryesore shqiptare kanë tema më të ‘’rëndësishme’’ për të trajtuar. Janë të njëjtat televizione që kanë guxuar edhe të sulmojnë Edi Ramën herë pas here, por Lalin e lejeve të ndërtimit, kurrë.

Gjithsesi kjo është një përpjekje që tregon kulmin e dëshpërimit. I njëjti protagonist, ai që akuzohet nga ish zv. kryeministri si pronari real i inceneratorit të Tiranës, bashkë me ortakët e tij në krim, e kanë provuar njëherë censurën si mjet për të varrosur aferën e shekullit, vjedhjen e gjysmë miliardi euro përmes një skeme qesharake të ndërtimit të inceneratorëve. Megjithëse ia arritën ta mbanin larg vëmendjes mediatike për një kohë relativisht të gjatë, plagës në fund i plasi qelbi. Kjo për tre faktorë. E para, lavdi zotit Shqipëria ka ende njerëz që nuk kanë dalë në pazar. E dyta, lufta politike për mbijetesë bën që sot të të denoncojnë dhe ata që kanë qenë pjesë e koalicionit me të cilët ke vjedhur dje. E treta dhe më e rëndësishmja, sado miliona të paguash, bota është shumë e madhe për t’i kënaqur të gjithë. Rezultati final ishte se kjo aferë u bë tema kryesore mediatike dhe vazhdon të jetë e tillë. Ironikisht nga të njëjtat televizione që kanë marrë miliona ‘’për reklama’’, por që sot ngrenë duart lart dhe thonë: ‘’na vjen keq lal, s’të ndihmojmë dot’’.

Nga fiqtë, për fiq

Nëse SPAK, i cili deri më sot ka arritur të bëjë pentito disa elementë të krimit të organizuar, por çuditërisht ende askënd nga politika, nuk arrin të bëjë një pentito mes të akuzuarve 5D, është një SPAK pa asnjë lloj kredibiliteti. Por edhe nëse Lali i ka tentakulat aq të gjata sa arrin të mbulojë të gjithë strukturën e posaçme, në terma afatgjata nuk ka shpëtim. Lajmi i mirë është se korrupsioni dhe pastrimi i produktit të veprës penale i kanë shumë të gjata afatet e parashkrimit. Do të ikin këta prokurorë dhe nesër do të vijnë ca të tjerë. Lali i ri është, ka kohë për burg.

Mos u mërzit lal. Nga fiqtë erdhe, për fiq do të shkosh…

Latest articles

Related articles